Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se kryetari i saj ka vendosur të mbledhë Kuvendin e Jashtëzakonshëm, pasi u plotësua kushti statutar që kërkonte mbështetjen me firma të së paku një të tretës së delegatëve.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, ky tubim do të organizohet të enjten, në datën 30 korrik.
Pak orë më vonë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu qëndrimin e tij në rrjetin social Facebook, ku e përshkroi mbledhjen e thirrur për në fund të muajit si “të panevojshme, të pakohë dhe të pavend”.
Megjithatë, ai nënvizoi se, pavarësisht se e sheh këtë nismë si “të dëmshme dhe përçarëse”, e thirri kuvendin për hir të respektit ndaj parimeve demokratike.
“Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë, sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njëjtë edhe të tjerët pas të enjtes, kur LDK flet përsëri,” shkroi Abdixhiku në reagimin e tij.
Ndërkohë, anëtari i kësaj partie, Bajram Gecaj, në një intervistë për “Bota sot”, u shpreh se shpreson që ky Kuvend i Jashtëzakonshëm të sjellë një frymë vetëdijesimi, transformimi dhe energjie të freskët për subjektin politik.

Ai pranoi se mund të ketë zëra të pakënaqur, por nuk sheh rrezik për thyerje të radhëve, duke besuar se kjo ngjarje do të shënojë fillimin e një faze të re si për formacionin ashtu edhe për vendin.
“Nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm pres që Lidhja Demokratike e Kosovës ta dëshmojë edhe një herë se është partia e vetme serioze në Kosovë që ka ndërtuar procedura, kulturë dhe frymë të mirëfilltë demokratike, duke e tejkaluar me pjekuri edhe çështjen e ndërrimit të lidershipit,” u shpreh Gecaj.
Ai shtoi se megjithëse këto procese nuk kanë qenë gjithnjë pa kosto, partia ka arritur të zgjedhë tre udhëheqës pas Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke u radhitur pas liderit të përzgjedhur, siç ndodhi edhe në janar të këtij viti. “Prandaj, pres që të enjten ta kemi guximin të reflektojmë, të ndryshojmë dhe të ecim përpara, sepse LDK-ja ka nevojë për energji të re, strategji ndryshe, veprime më të fuqishme dhe besnikëri të palëkundur ndaj vlerave të trasuara tash e 37 vjet,” përfundoi ai.
Gecaj më tej theksoi se nuk parashikon përçarje të thella, por ndoshta shfaqje të ndonjë pakënaqësie, duke shtuar bindjen e tij se mbledhja do të hapë një kapitull të ri si për LDK-në, ashtu edhe për Kosovën. “Pakënaqësi mund të ketë, por nuk pres përçarje apo thyerje të reja, sepse LDK-ja ka nevojë për secilin prej nesh dhe për shumë të tjerë që duan t’i bashkohen,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, veprimtari Saim Tahiraj, në një prononcim për të njëjtin medium, e cilësoi datën 30 korrik si sfidën më të vështirë për LDK-në në të gjithë historinë e saj politike të pasluftës.

Tahiraj vlerësoi se një proces i tillë duhet të ishte krejtësisht normal sipas statutit, por shprehu shqetësimin se tensionet mes dy grupimeve mund ta bëjnë të vështirë arritjen e një rezultati që kënaq anëtarësinë dhe mbështetësit.
“Në një demokraci funksionale, ky Kuvend i Jashtëzakonshëm do të duhej të konsiderohej një proces krejtësisht normal, i zhvilluar në përputhje me Statutin e LDK-së. Kushdo që fiton duhet të pranohet nga të gjithë, t’i urohet suksesi dhe më pas të vazhdohet me reforma serioze në të gjitha nivelet,” u shpreh ai.
Megjithatë, Tahiraj shtoi se mbetet për t’u parë nëse të gjithë do të jenë në gjendje t’i lënë pas interesat personale dhe të vendosin të mirën e partisë mbi gjithçka. Ai paralajmëroi se, duke parë qëndrimet e forta të të dyja kampeve, nëse nuk ka një ulje të tensioneve, kuvendi mund të mos prodhojë rezultatin e pritur nga anëtarësia dhe elektorati.
Në përfundim, ai u bëri apel figurave me peshë në parti që të angazhohen për unitetin, duke argumentuar se fati i LDK-së duhet t’i besohet një personaliteti konsensual të dalë nga brenda strukturave të saj, dhe jo të rrezikohet me eksperimente. “Figura unifikuese duhet të dalë nga gjiri i LDK-së, duke përfaqësuar identitetin, traditën dhe frymën e saj. Çdo alternativë tjetër eksperimentale rrezikon të prodhojë pakënaqësi të reja, përçarje dhe dobësim të mëtejshëm të partisë,” mbylli ai deklaratën e tij.
