Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar pas zbulimit të një lokacioni të ri në Kalludër të Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime për një varrezë masive. Sipas tij, ky zhvillim ringjall shpresën për të sqaruar fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Të lidhura
None found
Bahtiri theksoi se gërmimet mund të japin përgjigje veçanërisht për “Grupin e Intelektualëve të Mitrovicës”, të cilët u rrëmbyen më 19 prill 1999 nga forcat ushtarake dhe policore serbe në zonën e Drethit, teksa përpiqeshin të largoheshin drejt Malit të Zi.
“Që nga ajo ditë, familjet e tyre jetojnë mes dhimbjes dhe pritjes”, shkroi ai, duke përmendur më pas emrat e të zhdukurve: Dr. Adem Ademi, Dr. Idriz Rreci, Prof. Demir Ahmeti, Dr. Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip, Faton, Mahit, Nazim e Shkëlzen Ujkani, si dhe Tahir, Sali, Naser, Zymer, Selim, Shaqir, Samir, Bekim, Xhevdet e Xhemail Meziu.
Në postimin e tij të plotë, Bahtiri shprehu mbështetje të fuqishme për vazhdimin e gërmimeve dhe të gjitha nismave që synojnë zbardhjen e fatit të këtij grupi dhe të çdo personi tjetër të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Ai shtoi se familjarët kërkojnë të vërtetën dhe se është borxh i përbashkët të mos ndalemi derisa të gjendet edhe i zhdukuri i fundit dhe të vendoset drejtësia. Postimi përfundon me homazhe për ata që u flijuan për lirinë e Kosovës.
