Festivali i madh i ushqimit “Bite of Seattle” u përfshi nga paniku mbrëmjen e së dielës, kur të shtënat me armë zjarri shkaktuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë një fëmijë 2-vjeçar.
Të lidhura
None found
Sulmi ndodhi rreth orës 18:00 në Qendrën e Seattle-it, ku po mbahej aktiviteti tradicional tre-ditor, i cili tërheq çdo vit qindra mijëra vizitorë.
Departamenti i Zjarrfikësve njoftoi se dy persona u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, kurse katër të plagosur u transportuan drejt spitalit. Një grua u trajtua nga ekipet mjekësore në zonë, por nuk pranoi të dërgohej në spital.
Sipas Qendrës Mjekësore Harborview, të gjithë personat e plagosur kishin marrë plagë nga armët e zjarrit. Gjendja e një gruaje paraqitet kritike, ndërsa të plagosurit e tjerë kanë lëndime në krah, këmbë, bark dhe në pjesën e poshtme të këmbës.
Policia e Seattle-it ka vënë në pranga një person të dyshuar për ngjarjen. Kryebashkiakja Katie Wilson konfirmoi se ai ndodhet në paraburgim, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivin e sulmit.
Video të shpërndara në rrjetet sociale shfaqin vizitorët duke u larguar me vrap dhe të frikësuar nga vendi sapo nisin të shtënat. Dëshmitarët deklaruan se dëgjuan disa breshëri armësh, ndërsa në zonë ndërhynë menjëherë policia, ambulancat, agjentët e FBI-së dhe forca të tjera të sigurisë.
Duke e përshkruar ngjarjen si “një akt të tmerrshëm dhune”, kryebashkiakja Wilson u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.
Pas të shtënave, shërbimi i linjës Monorail të Seattle-it u ndërpre për pjesën e mbetur të ditës. Autoritetet gjithashtu u kërkuan qytetarëve të qëndrojnë larg zonës derisa hetimet të përfundojnë.
Të dhënat e Arkivit të Dhunës me Armë tregojnë se kjo ngjarje renditet mes të paktën 271 rasteve me të shtëna masive të regjistruara këtë vit në Shtetet e Bashkuara.
