Poshtë Kalasë së Argjiros, në zemër të qytetit muze të Gjirokastrës, Robert dhe Vasilika Arseni, nënë e bir, jetojnë çdo ditë me frikën se shtëpia e tyre mund të rrezikohet nga shembja e murit mbajtës të rrugës.
Bëhet fjalë për rrugën e njohur nga banorët si “Rruga pas Kalasë”, ku një pjesë e kalldrëmit ka pësuar ulje të ndjeshme. Si pasojë, edhe muri i gurit që mban rrugën dhe që ndodhet ngjitur me oborrin e banesës së familjes Arseni është deformuar dukshëm, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë. 85-vjeçarja Vasilika Arseni, e cila jeton e vetme në banesë, thotë se çdo ditë jeton me ankthin se gurët e murit mund të shemben dhe t’i rrezikojnë jetën. Sipas saj, dëmtimet janë përkeqësuar nga kalimi i vazhdueshëm i mjeteve me tonazh të rëndë mbi kalldrëm, pavarësisht se bëhet fjalë për një zonë historike me infrastrukturë të ndjeshme.
Nga Greqia, ku jeton si emigrant, djali i saj, Robert Arseni, tregon se prej kohësh i është drejtuar Bashkisë së Gjirokastrës me ankesa të përsëritura, duke kërkuar ndërhyrjen e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike për stabilizimin e murit dhe riparimin e segmentit të dëmtuar. Sipas tij, deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe asnjë ndërhyrje konkrete
Të lidhura
None found
Ndërkohë që amortizimi i rrugës vazhdon të përparojë, familja Arseni kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, përpara se dëmtimet të kthehen në një rrezik real për jetën e banorëve dhe për vetë trashëgiminë historike të qytetit.
