Zgjimi disa minuta para se të bie alarmi, konsumimi i një pije të freskët, ushtrimet e lehta dhe një mëngjes i qetë përpara se të nisë dita e punës – këto janë zakone që për shumë njerëz duken si diçka e paarritshme. Sidomos për ata që e shtyjnë disa herë alarmin dhe nuk arrijnë të kthjellohen pa një kafe të fortë.
Të lidhura
None found
Nevojat për gjumë janë të ngjashme për të gjithë të rriturit – rreth shtatë orë – por mënyra se si zgjohen njerëzit ndryshon dukshëm. Disa ngrihen në momentin e fundit dhe e nisin ditën me nxitim e rrëmujë, ndërsa të tjerë kanë kohë të kryejnë me qetësi disa aktivitete para se të shkojnë në punë.
Por a janë njerëzit që zgjohen herët vërtet më të shëndetshëm, më produktivë dhe më të lumtur? Sipas një studimi të botuar së fundmi në revistën Journal of Sleep Medicine, përgjigjja është po. Të dhënat tregojnë se ata që e kanë zakon të ngrihen herët përjetojnë më pak stres dhe raportojnë nivele më të larta lumturie.
Gjithashtu, hulumtimet kanë evidentuar se zgjimi i hershëm lidhet me produktivitet më të lartë në punë dhe më pak rënie të energjisë gjatë orëve të fundit të ditës. Këta persona priren të konsumojnë më pak ushqime të pasura me kalori, janë më të qetë dhe kanë një sistem imunitar më të fortë. Me pak fjalë, ka mjaft arsye bindëse që ia vlen të adoptoni këtë zakon, transmeton Telegrafi.
Si të bëheni një person që zgjohet herët?
Nëse tashmë e keni provuar të ngriheni më herët dhe ta shmangni shtyrjen e alarmit, e dini mirë se nuk është aspak e thjeshtë. Ndoshta keni pasur disa ditë të suksesshme të motivuara nga dëshira për të ndryshuar zakonet e gjumit, por shpejt jeni rikthyer te modeli i vjetër.
Pikërisht për këtë është thelbësore të bëni ndryshime të vogla dhe graduale në rutinën e gjumit, në mënyrë që të arrini qëndrueshmërinë e dëshiruar.
Para së gjithash, duhet të keni parasysh se të zgjoheni herët ka kuptim vetëm nëse keni fjetur mjaftueshëm. Kjo nënkupton që të shkoni në shtrat herët është hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Edhe pse në teori tingëllon e thjeshtë, në praktikë mund të përballeni me periudha të gjata rrotullimi në shtrat para se gjumi t’ju zërë. Lajmi i mirë është se ekzistojnë disa rutina që mund t’ju ndihmojnë të flini më shpejt.
Truri ynë funksionon më mirë me rutina, prandaj veshja e pizhameve dhe larja e dhëmbëve në të njëjtën orë çdo mbrëmje do të shërbejnë si sinjale të qarta se është koha për të pushuar. Mund të ndërmerrni edhe hapa të tjerë si darka rreth orës 18:00 dhe më pas të shmangni ushqimin, të mos konsumoni kafeinë pasdite, të lini mënjanë telefonin 30 deri në 60 minuta para gjumit dhe të ulni intensitetin e dritave në shtëpi, pasi drita e fortë mund të pengojë prodhimin natyror të melatoninës.
Gjithashtu, shmangni gjumin e pasdites derisa të stabilizohet regjimi juaj i ri i gjumit.
Nëse i keni ndjekur të gjithë këta hapa, por ende nuk po arrini të flini, mos qëndroni në shtrat duke u rrotulluar për më shumë se 20 minuta. Pasi të kalojë kjo kohë, ngrihuni dhe përfshihuni në një aktivitet qetësues – mund të lexoni një libër, të bëni joga relaksuese ose disa ushtrime të lehta shtrirjeje. Shmangni telefonin dhe ushqimin, sepse ato do t’ju zgjojnë edhe më shumë.
Qëndrueshmëria është thelbësore
Qëndrueshmëria është elementi më i rëndësishëm në këtë proces. Ka shumë gjasa që në netët e para të keni vështirësi për të fjetur, por nëse nuk hiqni dorë nga rutinat e mbrëmjes që përmendëm, organizmi juaj do të përshtatet shpejt me regjimin e ri.
Për më tepër, mos bëni ndryshime rrënjësore. Fillimisht, zhvendoseni orarin e gjumit vetëm një orë më herët dhe pas një ose dy javësh, shtoni edhe një orë tjetër, derisa të arrini objektivin që keni vendosur.
Jini të butë me veten gjatë këtij procesi dhe mos e ndëshkoni veten nëse një natë flini më vonë seç duhet. Mos harroni se përjashtimet ekzistojnë për të konfirmuar rregullin.
Një këshillë e fundit
Për të qëndruar të përkushtuar në arritjen e çdo qëllimi, përfshirë edhe atë për t’u bërë një person që zgjohet herët, është e rëndësishme të keni një arsye të fortë dhe ta motivoni veten rregullisht.
Prandaj, reflektoni se si do të ndryshonte jeta juaj nëse do të fillonit të ngriheshit më herët. Shënoni të gjitha përfitimet që do të kishit dhe rilexoni këtë listë sa herë që ju vjen dëshira të hiqni dorë. Kjo do t’ju ndihmojë të mbeteni të qëndrueshëm në synimin tuaj. /Telegrafi/
