Mbi 100 komuna në Rio Grande do Sul, shteti më jugor i Brazilit, janë goditur nga reshje të dendura dhe vërshime të papritura.
Të lidhura
None found
Dalja e disa lumenjve nga shtrati ka dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe ka detyruar banorët e shumë zonave të braktisin shtëpitë. Në të gjitha territoret e prekura janë evakuuar gjithsej mbi 2 mijë persona.
Lajeado, Estrela, Santa Tereza dhe Encantado ndodhen në nivelin maksimal të alarmit, pasi lumi Taquari kaloi kufirin prej 19 metrash. Ndërkohë, lumi Caí, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit të shtetit, Porto Alegre, vërshoi që në orët e para të mëngjesit, duke i detyruar familjet të zhvendoseshin në strehimoret e bashkive.
Operacionet për shpëtimin e familjeve të bllokuara në zonat e përmbytura po bashkërendohen nga guvernatori Eduardo Leite dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Në ndërhyrje janë angazhuar personel emergjence dhe kamionë të rëndë.
Autoritetet e emergjencave druhen veçanërisht nga sasia e madhe e ujit që po zbret prej kodrave veriore drejt Porto Alegre, pasi kjo mund ta rëndojë më tej situatën gjatë ditëve të ardhshme. Në qytete si Paraí dhe Ibirapuitã janë regjistruar deri në 247 mm reshje brenda pak ditësh, një nivel që e ka kaluar mesataren historike të të gjithë muajit korrik.
Kriza e re ka prekur një popullsi ende të brishtë, e cila nuk është rimëkëmbur nga përmbytjet historike katastrofike të majit 2024. Ato shkaktuan 184 viktima dhe zhvendosën qindra mijëra njerëz.
