Aktori shqiptar Klodian Hoxha do të shfaqet së shpejti në një produksion televiziv serb që do të transmetohet në televizionin publik të Serbisë.
I ftuar në programin “Në Shtëpinë Tonë” në Top Channel, ai ndau disa detaje nga prapaskenat e përfshirjes në këtë projekt. Duke folur për personazhin e tij si bosi, Hoxha rrëfeu: “Një agjent më ndihmoi të zgjeroj horizontet. Fillimisht bëra një provë për një rol tjetër, por duke qenë se ishte në serbisht, e refuzova menjëherë, i thashë se nuk ia dal dot. Më vonë më propozuan një personazh ku flitej shqip, anglisht dhe gjermanisht. Unë interpretoj një bos që banon në Beograd”, tregoi ai pa dashur të jepte më shumë hollësi.
Të lidhura
None found
Hoxha paralajmëroi gjithashtu një projekt madhor personal që do ta çojë në Festivalin e Kanës. “Jemi duke punuar për diçka tonën, në fushën e produksionit. Është një ide mjaft tërheqëse. Synojmë të realizojmë një film shqiptar ku unë do të kem edhe rolin e producentit”, deklaroi aktori.
Klodian Hoxha është një figurë e njohur e skenës shqiptare, me një karrierë të konsoliduar si në teatër ashtu edhe në kinematografi brenda dhe jashtë vendit. I diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, ai tani e sheh veten duke kaluar edhe në anën tjetër të kamerës, si producent filmash.
