Punimet për rindërtimin e Aeroportit të Ohrit po ecin sipas planit, ndërsa shkalla e realizimit aktualisht llogaritet nga 80 deri në 90 për qind. Sipas pritjeve, i gjithë projekti do të përmbyllet brenda afatit të parashikuar, në fund të verës.
Të lidhura
None found
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se në aeroport po zhvillohen njëkohësisht katër projekte dhe se secili prej tyre po realizohet në mënyrë të kënaqshme.
“Atje kemi katër projekte që zhvillohen paralelisht. Progresi është diku midis 80 dhe 90 për qind në secilin prej tyre. Afati që kemi vendosur për përfundim është fundi i verës dhe mendoj se ky afat do të respektohet. Paralelisht, nga 15 gushti, institucionet kompetente do të fillojnë punën, kryesisht Agjencia e Aviacionit Civil, Kontrolli i Fluturimit, M-NAV, Agjencia për Siguri Kombëtare, Dogana dhe MPB, në mënyrë që aeroporti të jetë funksional dhe të arrihen të gjitha standardet e sigurisë”, deklaroi sot Nikolloski.
Ai vuri në dukje se rindërtimi në praktikë do të sjellë një aeroport të ri, me objekt administrativ të ri dhe terminal të ri. Kjo, sipas tij, do të krijojë dukshëm më shumë hapësirë për uljet dhe ngritjet e avionëve.
“Jam i kënaqur që Aeroporti i Ohrit po rritet si në numra absolutë ashtu edhe në përqindje sipas raporteve të fundit, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në periudhën e ardhshme”, tha zëvendëskryeministri Nikolloski.
