Bashkimi Evropian ka reaguar me dënim të fortë ndaj deklaratës së Snezhana Paunoviq, ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale. Ajo kishte thënë se, nëse do të ndodhej në pozitën e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Të lidhura
None found
Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta, pasi u vlerësua si arsyetim i diskursit për spastrim etnik dhe si qëndrim në kundërshtim me parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk shprehet për deklarata individuale të figurave politike. Megjithatë, ajo theksoi se retorika që justifikon, nxit apo lartëson spastrimin etnik nuk ka vend në Evropë, duke riafirmuar angazhimin e unionit për të drejtat e njeriut, paqen dhe pajtimin rajonal.
Reagimet vijnë në një periudhë kur raportet Kosovë-Serbi mbeten të brishta. Bashkimi Evropian vazhdon t’u kërkojë të dyja palëve që të shmangin gjuhën nxitëse dhe veprimet që mund të shtojnë tensionet apo të cenojnë normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërkaq, Kosova e ka shpallur ‘non grade’ ministren serbe.

Për këtë çështje, veprimtari Agim Aliçkaj ka dhënë një prononcim për “Bota sot”, ku deklaratën e Paunoviqit e ka cilësuar si pjesë të vazhdimësisë së politikave historike serbe, të cilat, sipas tij, kanë pasur synim dëbimin dhe zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Ai tha se deklarata e ministres serbe lidhur me spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët nuk është as e re dhe as befasuese, duke e konsideruar atë vazhdim të përpjekjeve shekullore të politikës serbe, të cilën e përshkroi si shoviniste, raciste dhe hegjemoniste.
Sipas Aliçkajt, projektet për eliminimin e shqiptarëve dhe marrjen e tokave të tyre përfshijnë Naçertanijen e vitit 1844, Memorandumin e vitit 1937 të Çubriloviqit “Dëbimi i shqiptarëve”, Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986, si dhe operacionin “Patkoi” të viteve 1998–1999, të organizuar nga regjimi i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq.
Veprimtari tha se Çubriloviqi i kishte paraqitur hollësisht mënyrat e zbatimit të atyre që ai i cilësoi plane çnjerëzore, duke përmendur pohimin se “ekzistenca e kombit serb varet nga mosekzistenca e kombit shqiptar”. Ai shtoi se, sipas tij, planet serbe kanë qenë produkt i përbashkët i regjimeve shtetërore, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Aliçkaj vlerësoi se planet serbe për gjenocid në Kosovë dështuan falë rezistencës së shqiptarëve, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s. Megjithatë, ai tha se ideologjia e urrejtjes ndaj shqiptarëve vijon të ekzistojë në Serbi, edhe për shkak të mungesës së një procesi të “denazifikimit” pas luftës.
Sipas tij, rezistenca heroike shekullore e shqiptarëve në forma të ndryshme, e kurorëzuar me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimin e Serbisë nga NATO-ja në vitin 1999, bëri që gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të dështonte përfundimisht. Ai deklaroi se aspiratat serbe vazhdojnë të shfaqen edhe përmes deklaratës së fundit të Paunoviqit.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e popullit serb, edhe pas bombardimit dhe humbjes së katër luftërave mizore, sipas tij, nuk është çliruar nga mitet dhe mashtrimet e një klase politike që e ushqen me urrejtje ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.
Aliçkaj e quajti gabim të madh të shteteve perëndimore mungesën e “denazifikimit” të shoqërisë serbe pas humbjes ushtarake të Serbisë, si dhe mungesën e çlirimit të saj nga urrejtja ndaj kombeve të tjera dhe mitet e vdekura të mesjetës.
Më tej, ai deklaroi se Bashkësia Evropiane dhe Amerika po zbatojnë një politikë të gabuar dhe të dështuar të afrimit me regjimin serb të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, të cilin e cilësoi bashkëpunëtor të Millosheviqit. Sipas tij, kjo politikë lidhet me interesa, që ai i quajti iluzore, për largimin e Serbisë nga ndikimi i Rusisë, ndërsa regjimi serb po e shfrytëzon këtë situatë pa kufi.
Ai e cilësoi të zbehtë dhe joserioz reagimin e Anitta Hipper, si edhe reagimet e shumë përfaqësuesve të vendeve perëndimore, duke përjashtuar, sipas tij, ndonjë deputet apo mendimtar me parime të forta njerëzore. Aliçkaj theksoi se nuk ka pasur masa konkrete ndëshkuese ndaj deklaratës së ministres Paunoviq.
Po ashtu, ai pretendoi se nuk janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë për aktet terroriste të Banjskës dhe Ujmanit, për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe për destabilizimin e Kosovës e të Ballkanit. Në anën tjetër, ai tha se Kosovës i ushtrohen presione të padrejta për lëshime të tjera ndaj Serbisë, duke përfshirë edhe sanksionet ndaj Kosovës për zbatimin e ligjit në veri, çka e cilësoi standard të dyfishtë tronditës.
Në përmbyllje, Aliçkaj tha se reagimi i Shqipërisë, i një pjese të politikës shqiptare dhe i faktorit ndërkombëtar ka qenë i pamjaftueshëm. Ai paralajmëroi se, sipas tij, pa ndëshkimin e përgjegjësve dhe pa ndryshime rrënjësore në politikën serbe, nuk mund të sigurohet paqe e qëndrueshme në Ballkan.
Ai e konsideroi të pavlerë dhe të turpshëm reagimin e shtetit amë dhe të kryeministrit jolegjitim proserb të Shqipërisë, Edi Rama. Sipas tij, i njëjtë është edhe mosreagimi i përfaqësuesve të disa partive dhe i një pjese të shtypit në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare.
Aliçkaj e cilësoi të rrezikshme deklaratën e Paunoviqit, të cilën e quajti ministre të urrejtjes së shtetit serb të urrejtjes dhe miteve. Sipas tij, qëllimi i saj është mashtrimi i votuesve serbë në zgjedhjet e ardhshme dhe largimi i vëmendjes së ndërkombëtarëve nga veprimet destruktive të regjimit të Vuçiqit, i cili, sipas Aliçkajt, nuk ndërmerr masa ndaj saj, por paraqitet si “lider konstruktiv i përkushtuar ndaj paqes”.
Ai përfundoi se pa ndëshkimin e kriminelëve serbë, largimin e qeverisë serbe që e cilësoi shoviniste, raciste dhe hegjemoniste, si dhe pa “denazifikimin” e pjesës së popullit serb të ngarkuar me urrejtje ndaj të tjerëve, nuk do të ketë qetësi, siguri dhe paqe të qëndrueshme në Ballkan.
