Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia, ka reaguar ndaj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, pasi ky i fundit bëri publike të dhëna mbi vendndodhjen e banesës në Itali ku jetojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Përmes një videoje të regjistruar përpara Kryeministrisë, Shehaj deklaron se publikimi i adresës së shtëpisë së familjarëve të tij është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi, bashkëshortja ime, kur kalojnë verën, me adresë, duke ia bërë me gisht: këtu janë!”, shprehet Shehaj.
Sipas drejtuesit të Partisë Mundësia, ky veprim synon t’u mbyllë gojën deputetëve të kësaj force politike dhe t’i pengojë ata që të denoncojnë skandalet korruptive të Ramës.
Shehaj i drejtohet hapur kryeministrit Rama, duke theksuar se veprimtaria opozitare në Parlament do të vazhdojë dhe se shantazhet nuk do t’i frikësojnë.
“Pse e bën Edi Rama këtë? Sepse është i dëshpëruar, por një gjë ta kesh të qartë: Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, e përfundon reagimin Shehaj.
Reagimi i plotë i Shehajt:
Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi, bashkëshortja ime, kur kalojnë verën, me adresë, duke ia bërë me gisht: këtu janë!
Tani, pse e bën Edi Rama këtë?
Sepse është i dëshpëruar, por një gjë ta kesh të qartë:
Ne nuk ndalemi!
Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë.
