FIFA ka nisur të zbatojë një direktivë të re në turnetë e saj, dhe Miguel Almiron u bë protagonisti i parë që pa kartonin e kuq si pasojë e saj. Sulmuesi paraguaian u përjashtua në minutat shtesë të pjesës së parë gjatë duelit të fazës së grupeve të Kupës së Botës përballë Turqisë.
Megjithatë, në gjysmëfinalen e të njëjtit kompeticion, Lionel Messi tregoi një qasje krejt tjetër. Përballë Declan Rice, gjatë fitores 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë, mesfushori anglez mbuloi gojën me dorë teksa i drejtohej kapitenit argjentinas. Edhe pse rregullorja e re i jepte mundësinë të ndërhynte, Messi nuk iu drejtua gjyqtarit amerikan Ismail Elfath për të kërkuar sanksione.
Të lidhura
None found
Vendimi i tij u prit me entuziazëm në rrjetet sociale. Mesazhi dominues i tifozëve ishte: “Declan Rice vuri dorën para gojës kur foli me Messin, dhe ai as që u mundua të sinjalizonte arbitrin për karton të verdhë. GOAT e injoroi plotësisht atë rregull pa kuptim”.
Kjo normë, e pagëzuar jozyrtarisht si “Lex Vinicius” ose “Ligji i Vinicius”, mori vëmendje në shkurt pas një episodi në Ligën e Kampionëve mes Real Madridit dhe Benficës. Atëherë, lojtari i klubit portugez, Gianluca Prestianni, tërhoqi fanellën mbi gojë ndërsa komunikonte me Vinicius Jr.
Ylli brazilian dhe Kylian Mbappe pretenduan se Prestianni e ofendoi me fjalën “majmun”, por leximi i buzëve nuk e konfirmoi dot. Pas hetimeve, UEFA e shpalli mesfushorin argjentinas fajtor për sjellje homofobike dhe e pezulloi për gjashtë ndeshje, pasi ai pranoi se i kishte thënë “pederast” Viniciusit.
Rregullorja specifikon: “Kartoni i kuq për mbulim të gojës aplikohet kur një futbollist fsheh qëllimisht gojën me dorë, parakrah ose bluzë për të maskuar atë që thotë në një konfrontim me kundërshtarin ose zyrtarin e ndeshjes”.
Thelbi është ndëshkimi i tentativës për të fshehur fyerje, kërcënime apo deklarata raciste, ndërsa i njëjti gjest në rrethana neutrale nuk sanksionohet.
