Sot kanë nisur zyrtarisht punimet për një projekt madhor në Komunën e Sarajit, që synon rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë. Për këtë ndërhyrje kapitale, Ministria e Mjedisit ka siguruar një fond prej 376 milionë denarë. Në ceremoni morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe kryetarët e komunave Saraj dhe Çair, Muhamet Elmazi dhe Izet Mexhiti.
Të lidhura
None found
Kryetari Elmazi e ka cilësuar këtë si një moment historik për zonën, duke theksuar se një pritje shumëvjeçare po i hap rrugë një realiteti konkret. Sipas tij, ndërsa të tjerët kanë qëndruar në fjalë dhe premtime elektorale, tani janë sjellë investime të prekshme. Ai theksoi se rreziku që Lumi i Thatë paraqiste për banesat, tokat bujqësore dhe familjet e Sarajit po i vjen fundi, falë një investimi që kap shifrën e mbi 379 milionë denarëve dhe shtrihet në 12 kilometra shtrat lumor, nga Bojana deri në Gllumovë.
Elmazi shtoi se ky projekt nuk është thjesht një punë infrastrukturore, por një provë e qartë se me vullnet politik dhe seriozitet institucional, premtimet e mbajtura peng për dekada mund të konkretizohen në një hark të shkurtër qeverisjeje. “Saraji nuk pret më, Saraji ndërton”, përfundoi ai, duke paralajmëruar se ky është vetëm fillimi i një sërë nismash.
