Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po e zgjeron procedurën hetimore që lidhet me një grup të organizuar kriminal, i dyshuar për import, shpërndarje dhe aplikim të paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Të lidhura
None found
Gjatë ditës së djeshme, me urdhër të prokurorit kompetent, u zhvilluan kontrolle në pesë lokacione në Shkup, përfshirë edhe dy institucione shëndetësore.
Në kuadër të këtij aksioni u arrestuan tre persona, ndërsa dy prej tyre janë mjekë.
Pas provave të siguruara, prokurori publik ka lëshuar urdhër për nisjen e procedurës hetimore kundër katër personave.
Sipas Prokurorisë, tre nga të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “bashkim kriminal” dhe “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”, ndërsa personi i katërt dyshohet për veprën penale “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”.
Me kërkesë të prokurorit publik kompetent, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka vendosur masa kujdesi ndaj të katër të dyshuarve.
Ky rast ishte hapur në prill të këtij viti, kur ishte dhënë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 17 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale “bashkim kriminal”, “cenim i të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të përcaktuar nëse ka përfshirje të mundshme edhe të personave të tjerë.
