Një ngarkesë me ndihma humanitare e parashikuar për shqiptarët në Luginën e Preshevës është kthyer pas në pikën doganore të Vranjës, sipas një deklarate të bërë publike nga Zyra për Shqiptarët në Serbi.
Në deklaratë thuhet se ndihmat ishin vënë në lëvizje me mbështetjen e donatorëve nga Suedia dhe me përkrahjen e kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Organizatorët pohojnë se të gjitha dokumentet e kërkuara ishin në rregull, por doganierët kërkuan edhe akte shtesë, mes tyre një memorandum bashkëpunimi, të cilin ata e shohin si kërkesë jashtë kuadrit ligjor.
Të lidhura
None found
Sipas të njëjtës deklaratë, edhe pasi u bë përpjekje që situata të zgjidhej përmes nënshkrimit të dokumenteve shtesë dhe duke orientuar ndihmat drejt Kosovës, autoritetet vijuan të vendosnin pengesa të tjera administrative.
Zyra për Shqiptarët në Serbi, duke iu referuar edhe qëndrimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pretendon se shkaku i vërtetë i bllokimit nuk është mungesa e dokumentacionit, por fakti që ndihmat ishin të destinuara për komunitetet shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
