LSDM akuzon Qeverinë se po paraqet një pamje të shtrembëruar të gjendjes ekonomike në vend, duke iu referuar deklaratave për inflacionin. Sipas kësaj partie, Hristijan Mickoski krenohet me faktin se Maqedonia ka pasur inflacionin më të ulët në rajon, por qytetarët, siç thonë ata, nuk e matin jetën me statistika, por me pagat që marrin dhe me fuqinë blerëse që kanë në treg.
Të lidhura
None found
Nga LSDM theksojnë se, edhe nëse inflacioni ka shënuar ulje, shporta e konsumatorit vazhdon të mbetet e paarritshme për shumë familje. Ata shtojnë se niveli aktual i inflacionit është dukshëm më i lartë nga ai që Mickoski kishte premtuar në programin qeveritar dhe në buxhetin e vitit 2026.
Sipas tyre, çmimet e produkteve bazë vijojnë të jenë të larta, ndërsa pagat në Maqedoni mbeten ndër më të ulëtat në Evropë. LSDM vlerëson se paga minimale në vend është shumë poshtë asaj të vendeve fqinje, ndërsa edhe paga mesatare nuk garanton një standard normal jetese.
Më tej, ata e cilësojnë shqetësues edhe rënien e investimeve të huaja, për të cilat thonë se kanë pësuar ulje prej mbi 60% në krahasim me periudhën para se kjo qeveri të vinte në pushtet.
Në reagimin e tyre, LSDM thekson se në vend të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës, vendi po përjeton ngecje dhe largim të kapitalit. Sipas tyre, ndonëse Mickoski përpiqet të flasë për “suksese ekonomike”, gjendja reale është krejt tjetër. Ata shprehen se Maqedonia nën drejtimin e tij është shndërruar në ekonominë e tretë të frigoriferëve bosh, ku qeveria mburret me shifra, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi për mbijetesë.
