Prej më shumë se një muaji, protestat masive që po zhvillohen në Shqipëri kundër kryeministrit Edi Rama kanë nisur të marrin jehonë gjithnjë e më të madhe edhe në mediat ndërkombëtare.
Një artikull i medias amerikane “Democracy Now” i është kushtuar asaj që tashmë njihet në mbarë botën si “Revolucioni i Flamingove”, duke sjellë në vëmendje prapaskenat e situatës që ka nxitur qytetarët të dalin në rrugë.
Të lidhura
None found
Sipas “Democracy Now”, shkëndija që ndezi revoltën në Tiranë ka qenë projekti për ngritjen e një resorti luksoz në një zonë me ndjeshmëri të lartë ekologjike. Në shkrim thuhet se “Revolucioni i Flamingove”, i quajtur kështu për shkak të ndikimit që pritet të ketë mbi shpendët shtegtarë, nisi si një protestë për mjedisin, por më pas u kthye në një zemërim të madh ndaj gjithë sistemit politik, duke kërcënuar rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Për të zbërthyer më mirë përmasat e këtij skandali, “Democracy Now” ka intervistuar dy anëtarë të partisë “Lëvizja Bashkë”, të cilët projektin miliardë dollarësh e kanë përshkruar si një mbulesë korruptive. Sipas tyre, resorti i planifikuar përbën “një operacion të pastrimit të parave” dhe nxjerr në pah një degradim shumë më të thellë që ka prekur institucionet dhe mënyrën e qeverisjes në Shqipëri.
Në fund të artikullit, gazetarët amerikanë citojnë edhe organizatoren e sindikatave në Shqipëri, Bora Mema, anëtare e Lëvizjes Bashkë, e cila ka ritheksuar vendosmërinë për të mos u tërhequr deri në arritjen e plotë të objektivit. “Protestat do të vazhdojnë, dhe njerëzit janë shumë të vendosur,” ka thënë Mema për “Democracy Now”, duke treguar se qëndresa qytetare në Shqipëri tashmë ka thyer censurën dhe po ndiqet me interes të madh edhe përtej oqeanit.
