Interi ka finalizuar një marrëveshje me Union Saint-Gilloise për afrimin e Anan Khalailit, sipas raportimeve nga burime të besueshme italiane.
Siç bëjnë të ditur Sportitalia, Sky Sport Italia, Tuttomercatoweb dhe gazetari Fabrizio Romano, klubi zikaltër do të derdhë 25 milionë euro plus bonuse, ndërsa shuma e plotë e operacionit mund të shkojë deri në 30 milionë euro, pikërisht sa kishte kërkuar skuadra belge.
Të lidhura
None found
Interi u fokusua te reprezentuesi izraelit pasi nuk arriti të siguronte objektivin kryesor, Marco Palestra, i cili vendosi të transferohej te Chelsea. Khalaili konsiderohet si lojtari që do të marrë vendin e Denzel Dumfries, i cili pak ditë më parë përfundoi kalimin te Real Madridi.
Bisedimet ndërmjet dy klubeve kanë qenë të vështira për t’u mbyllur. Union Saint-Gilloise hodhi poshtë dy propozimet e para të Interit, fillimisht ofertën prej 20 milionë eurosh plus bonuse dhe më pas atë prej 23 milionë eurosh.
Në marrëveshje është përfshirë edhe një klauzolë që i garanton Maccabi Haifa, klubit të mëparshëm të lojtarit, 15 për qind nga vlera e një transferimi të ardhshëm. Skuadra izraelite e kishte shitur Khalailin te Union Saint-Gilloise në vitin 2024 për 6.5 milionë euro.
Mbrojtësi i djathtë, që në shtator mbush 22 vjeç, pati një edicion shumë pozitiv me ekipin belg, ku realizoi gjashtë gola dhe dha gjashtë asistime në 42 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Raportimet nga Italia shtojnë se Khalaili pritet të udhëtojë drejt Milanos për të kryer kontrollet mjekësore të premten ose të shtunën.
Më herët gjatë afatit kalimtar, Napoli kishte qenë afër një akordi me futbollistin, por negociatat nuk përparuan, pasi klubi duhej më parë të largonte disa lojtarë.
