Një bombë dore është hedhur drejt një objekti hotelerik në Dobërcë nga një automjet në lëvizje, ndërsa si pasojë janë lënduar dy persona, njofton SPB Tetovë.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, ngjarja është denoncuar më 08.07.2026 në orën 01:20 në Departamentin Policor të Grupçinit nga D.F. (51), banor i fshatit Dobërcë të Tetovës. Ai ka raportuar se një automjet udhëtarësh “Citroen”, teksa ishte në lëvizje, ka hedhur një bombë dore në drejtim të objektit të tij hotelier, i cili ndodhet përgjatë rrugës lokale në fshat.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa të lënduar kanë mbetur E.A. (57) nga fshati Çiflik i Tetovës dhe G.F. (60) nga fshati Dobarcë, të cilët në ato momente ndodheshin pranë restorantit.
Dy të lënduarit janë transportuar menjëherë në Spitalin Klinik të Tetovës për të marrë ndihmë mjekësore. Në vendin e ngjarjes ka kryer këqyrje ekipi i ekspertizës i SPB Tetovë, ku janë gjetur edhe gëzhoja pistolete.
Për rastin është informuar Prokurori Publik nga PTHP Tetovë, ndërsa po merren masa dhe po zhvillohen aktivitete për identifikimin e autorit dhe ndriçimin e plotë të ngjarjes, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.
