Osmani në Paris: Franca të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, po zhvillon një vizitë pune në Paris, ku ka planifikuar takime me përfaqësues të Senatit francez, Asamblesë Kombëtare dhe institucioneve të tjera të Francës. Sipas njoftimit të BDI-së, diskutimet përqendrohen te perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimeve po trajtohen ngecja e vendit në procesin e integrimit evropian, si dhe nevoja për ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, bëjnë të ditur nga BDI-ja.

Të lidhura

None found

Pjesë e bisedimeve ishin edhe mundësitë që Maqedonia e Veriut të përfshihet gradualisht në politikat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian. Synimi është që qytetarët të marrin përfitime konkrete nga procesi i integrimit edhe para anëtarësimit të plotë.

Osmani i bëri thirrje Francës që të rrisë angazhimin e saj për një proces integrimi evropian të qartë, të njëtrajtshëm dhe të paekuivok. Ai kërkoi gjithashtu mbështetje në kuadër të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Nuk duhet të lejojmë që Maqedonia e Veriut të mbetet jashtë proceseve kryesore evropiane në rajon. Është bërë shumë, do të thosha është investuar shumë, veçanërisht edhe nga Republika Franceze në këtë proces, për çka jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Por, është e qartë se kemi nevojë për mbështetje shtesë, në mënyrë që procesi i integrimit të vazhdojë”, deklaroi Osmani.

Një nga temat kryesore të takimeve ishte edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila u cilësua si bazë për stabilitetin, barazinë dhe karakterin multietnik të shtetit. Osmani shprehu shqetësim për zhvillimet që lidhen me të drejtat gjuhësore, përfaqësimin e drejtë dhe respektimin e parimeve themelore të marrëveshjes.

Sipas tij, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe avancimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian janë të lidhura ngushtë me stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.


Shtuar më 29.10.2026 15:17