Në një prononcim për “Moldfootball.com”, tekniku i Egnatias komentoi sfidën e raundit të parë kualifikues të Champions League, që u mbyll 1-1 ndaj Petrocub.
Të lidhura
None found

I pyetur nëse barazimi 1-1 ishte i pranueshëm, Dede u shpreh se pas përfundimit të takimit mund të konsiderohet një rezultat pozitiv, megjithëse para nisjes së ndeshjes skuadra nuk kishte bërë këtë llogari. Ai shtoi se futbolli është lojë e njerëzve dhe gabimet janë pjesë e tij.

Lidhur me deklaratën e trajnerit të Petrocub, i cili tha se do të vijnë në Shqipëri për fitore, kreu i stolit të Egnatias tha se kjo mbetet për t’u parë. Sipas tij, ka respekt për Petrocub, pasi është një skuadër vërtet e fortë, por pavarësisht asaj që ndodhi në ndeshjen e parë, Egnatia vazhdon të ketë besim se mund të bëjë më mirë në takimin e kthimit.
Duke folur për nisjen e vështirë të ndeshjes dhe golin e pësuar pas 44 sekondash, Dede tha se ekipi nuk ishte i përgatitur për atë që ndodhi në minutën e parë. Megjithatë, sipas tij, reagimi i skuadrës ishte shumë i mirë dhe u krijuan edhe rastet e veta. Ai theksoi se e kishte ditur që përballja do të ishte shumë e fortë.

Trajneri i Egnatias nënvizoi se pas golit të pësuar, skuadra e tij kontrolloi pjesën e parë. Ai shtoi se Petrocub i detyroi në çdo moment t’i qëndronin pranë objektivit, por kjo erdhi si pasojë e gabimeve të tyre dhe pasimeve të pasakta, që i dhanë kundërshtarit mundësi për të rrezikuar. Sipas Dedes, ndeshja duhej fituar, por futbolli i ka këto situata.
Për kartonin e kuq në fund të pjesës së parë, ai tha se ishte një episod i papritur, i ardhur nga një gabim i lojtarit të tyre. Sidoqoftë, ai theksoi se skuadra e menaxhoi situatën duke barazuar takimin dhe më pas u përpoq të nxirrte maksimumin e mundshëm.

I pyetur se cila ishte goditja më e fortë në pjesën e parë, goli i hershëm apo dalja me të kuq e një lojtari, Dede u përgjigj se në futboll ndodhin vazhdimisht gjëra të ndryshme dhe ato duhen pranuar. Sipas tij, një ekip duhet të jetë gati për çdo situatë që sjell loja.
Ai falënderoi edhe futbollistët që u aktivizuan nga stoli. Pas zëvendësimeve, tha Dede, skuadra vuajti disi, por njëkohësisht pati edhe rastet e saj, të cilat mund të ishin shfrytëzuar më mirë. Në fund, ai theksoi se ende nuk ka përfunduar asgjë, pasi përpara është ndeshja e kthimit.
