Pas rrugëtimit të “Dragonjve” në Kupën e Botës, Kerim Alajbegovic është kthyer në Gjermani, pasi arriti të lërë gjurmë në historinë e këtij kompeticioni me fanellën e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në moshën 18-vjeçare, ai mbërriti në Koln, ku e prisnin qindra mbështetës boshnjakë të mbledhur për ta përshëndetur. Pritja u shoqërua me emocione të forta, ndërsa në nder të talentit të ri tifozët interpretuan këngën e njohur “Ljiljane” të Halid Besliqit.
Të lidhura
None found
Futbollisti foli edhe për eksperiencën e tij të parë në një Kupë Bote, të cilën e përshkroi si një ngjarje që do ta mbajë mend gjatë në karrierën e tij.
“Hera e parë ishte absolutisht fenomenale. Nuk mund t’u besoja lojtarëve me të cilët po luaja dhe me të cilët ndaja dhomën e zhveshjes. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme të luaja për vendin tim”, deklaroi ai.
Alajbegovic u ndal gjithashtu te goli i realizuar kundër Katarit, të cilin e cilësoi si një çast historik si për veten, ashtu edhe për kombëtaren.
“Të shënosh një gol në Kupën e Botës është diçka e veçantë për çdo lojtar. Ajo ishte ndeshja më e rëndësishme për ne në grup dhe është një ndjenjë e jashtëzakonshme kur mund të shënosh për atdheun tënd”, u shpreh Alajbegović.
Edhe pse ende shumë i ri, sulmuesi anësor u shndërrua në një nga figurat kryesore të Bosnjës në Botëror. Ai realizoi në fitoren 3-1 ndaj Katarit dhe u rendit si golashënuesi i tetë më i ri në historinë e Kupës së Botës.
Jo vetëm kaq, por Alajbegovic regjistroi edhe një arritje tjetër të veçantë, duke u bërë lojtari më i ri që ka shënuar nga jashtë zonës së penalltisë në historinë e Kupës së Botës.
Falë talentit dhe paraqitjeve të tij, 18-vjeçari po konsiderohet tashmë si një nga shpresat më të mëdha të futbollit boshnjak për të ardhmen.
