Gjatë 24 orëve të fundit, policia në Maqedoni ka ndaluar 28 shoferë në mbarë territorin e vendit për, siç thuhet, “vozitje të papërgjegjshme”.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, 25 prej tyre po drejtonin automjete pa leje drejtimi. Nga këta, tetë persona janë kapur në Shkup, katër në Manastir, nga dy në Veles, Sveti Nikollë, Tetovë dhe Kërçovë, si dhe nga një në Delçevë, Koçan, Kavadar, Negotinë dhe Kumanovë.
Policia bën të ditur gjithashtu se nga një person në Çashkë dhe Tetovë është konstatuar duke drejtuar automjet pasagjerësh, ndonëse kishin ndalim aktiv për drejtim. Ndërkohë, një person në Gjevgjeli është kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi kufirin e lejuar.
Pas përfundimit të dokumentimit të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Nga MPB u bëhet thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’u përmbahen rregullave të trafikut, të mos drejtojnë automjet pa e kaluar provimin për drejtim, në rast se kanë ndalim për drejtim apo nëse janë nën ndikimin e alkoolit, me qëllim që të kontribuohet së bashku për një trafik më të sigurt.
