Pas disa orësh qëndrim të pandërprerë, protesta qytetare në ditën e 38-të u mbyll aty ku kishte nisur, përballë godinës së Kryeministrisë. Pasi kaluan në një marshim kilometrik përgjatë akseve kryesore të Tiranës, qytetarët u kthyen poshtë zyrës së kreut të qeverisë, duke i përcjellë kryeministrit Edi Rama një sinjal të prerë se qëndresa nuk do të ndalet.
Rrugët e kryeqytetit janë mbushur me energji dhe zemërim gjatë marshimit, ndërsa protestuesit kanë brohoritur me një ritëm të pandalur slogane të reja, plot ironi ndaj kryeministrit. Bulevardi ka kumbuar nga thirrjet: “O milet, Rama ka siklet!” dhe “O pallosh, pallosh i gjatë, këtu na ke ditë e natë!”, duke treguar se frika është zbehur dhe vendosmëria e njerëzve të zakonshëm është rritur.
Të lidhura
None found
Si në 38 ditët e mëparshme, tubimi u mbyll me një zotim për orët dhe ditët në vijim. Para se të shpërndaheshin, sërish të mbledhur nën dritaret e Kryeministrisë, ata hodhën thirrjen që la të kuptohej se protesta do të marrë më shumë përmasa: “Nesër më shumë!”, duke lënë një takim për ditën tjetër të asaj që tashmë është shndërruar në një kryengritje të përditshme qytetare.
