Katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare (FNSH), të ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) pas largimit të Hasan Verracakut nga masa “arrest në shtëpi”, janë nxjerrë të lirë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, trupi gjykues caktoi për ta masën “detyrim paraqitje”, duke i lënë të hetohen në gjendje të lirë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Të lidhura
None found
Nën hetim po ashtu janë inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi. Sipas AMP-së, ata dyshohet se nuk kanë kryer siç duhet detyrën e mbikëqyrjes së Verracakut, duke i krijuar mundësinë të largohej nga banesa ku qëndronte në zbatim të masës së sigurisë.
Ndërkohë, për Hasan Verracakun është regjistruar procedim penal për veprën “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi dyshohet se ka shkelur kushtet e vendosura nga gjykata.
Verracaku figuron si një nga personat e hetuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Velipojë në qershor të vitit 2021, ku humbën jetën katër persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Pas mbarimit të afateve të paraburgimit, ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në shtëpi”, ndërsa ruhej 24 orë nga efektivët e Policisë së Shtetit.
