Graham Platner, kandidat demokrat për Senatin amerikan në Maine, është vënë në qendër të akuzave pasi një grua pretendon se ai e ka përdhunuar në vitin 2021. Platner i ka kundërshtuar kategorikisht këto pretendime, duke i quajtur të rreme.
Të lidhura
None found
Sipas Jenny Racicot, 41 vjeç, ngjarja ka ndodhur në fund të vitit 2021. Ajo i tha CNN se Platner shkoi në banesën e saj edhe pse ajo i kishte kërkuar të mos paraqitej. Racicot pretendon se ai ishte në gjendje të rënduar nga alkooli dhe se pati marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.
Ajo shpjegoi se në atë periudhë nuk e denoncoi rastin në polici dhe se pas incidentit i ndërpreu marrëdhëniet me Platner. Sot, tha ajo, e konsideron atë që ndodhi si përdhunim. “Po, absolutisht”, u shpreh Racicot kur u pyet nëse e cilësonte ngjarjen sulm seksual.
Vendimin për të folur publikisht, Racicot thotë se e mori për shkak të shqetësimeve që ka lidhur me procesin zgjedhor dhe për t’u dhënë votuesve më shumë informacion mbi kandidatin.
Fushata e Graham Platner reagoi duke i mohuar akuzat. Në deklaratën e saj, ajo i cilësoi pretendimet si “shumë serioze”, por theksoi se kandidati i hedh poshtë me forcë. Platner publikoi gjithashtu një video ku u shpreh se do të marrë kohë për të reflektuar mbi vijimin e fushatës së tij, duke nënvizuar se mënyra si është raportuar rasti nuk pasqyron realitetin.
Këto akuza dalin në një çast të rëndësishëm për Platner, i cili renditet mes kandidatëve kryesorë demokratë në garën për Senatin në Maine. Më herët gjatë fushatës, ai është përballur me kritika të tjera që lidhen me sjellje të së kaluarës, mes tyre problemet me alkoolin dhe një tatuazh me simbolikë naziste. Për këtë të fundit, ai ka deklaruar se nuk e dinte domethënien kur e bëri dhe se më vonë e mbuloi.
