Pas protestës së mbajtur një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht, duke e lidhur arkmortin e përdorur nga protestuesit me ngjarjet e ndodhura 20 vite më parë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama tha se, ndryshe nga dikur kur arkmorti kishte “një të vdekur” brenda, sipas tij sot protesta ka përfunduar “në duart e llapaqorrëve, ujqve politikë dhe çakenjve nga Prishtina e Tetova”, duke humbur kështu frymën qytetare.
Të lidhura
None found
Mesazhi i plotë:
Të dashur flamingo🦩
Kjo video-kartolinë e trishtë është për ata mes jush që para njëzet vitesh ishin ende fëmijë ose akoma embrion në barkun e nënës;
për ata që, ndonëse atëherë kishin moshën për ta kuptuar kohën, e kanë lënë Shqipërinë dhe Tiranën e asaj periudhe aq shumë pas, sa sot u duket ose sikur ato nuk kanë qenë kurrë, ose sikur kujtimi i së djeshmes është një peshë që i pengon të kërkojnë më tepër nga e sotmja;
dhe për ata që u larguan nga Shqipëria e Tirana, por që së fundmi rikthehen për një rrugë e dy punë, nga njëra anë për pushime në Shqipërinë e re të një realiteti të transformuar me reforma, punë, mund e durim kolosal, e nga ana tjetër për të dalë në protestë për një “Shqipëri të re”; një Shqipëri çelësash magjikë, në emër të së cilës kërkohet që kontrata zgjedhore me popullin të shkelet me autokolona makinash të veshura kuqezi.
Predikohet se institucionet demokratike duhen vënë në shënjestër dhe “çliruar” me forcë, njësoj si të ishin kështjella armike.
Arsyetohet dhuna kundër të zgjedhurve të popullit, të cilët sipas kësaj logjike duhen ndaluar të hyjnë e të dalin nga puna në Kuvendin e Shqipërisë.
Dhe është një “popull” i vetëshpallur në rrugë ai që vendos se kush është atdhetar e kush tradhtar, kush duhet të shkojë në burg, kush duhet të linçohet dhe kush duhet të lëvdohet.
Nuk e kam për qëllim t’ju bëj të ndiheni se keni qenë gabim, vetëm sepse protesta juaj përfundoi e katandisur në një kopje të zmadhuar të protestave të shëmtuara të kënetës politike. Sepse jo, ju nuk ishit aspak gabim kur u ndjetë të kapur në një kurth problemesh më të mëdha sesa fuqia juaj për t’i zgjidhur dhe kur gjetët njëri-tjetrin mes sekëlldive e shpresave tuaja.
Jo, ju nuk jeni gabim as sot, nëse ndiheni mirë duke u njësuar si një bashkësi e madhe njerëzish nga të gjitha rrugët e jetës, me zogjtë, me natyrën, me tokën, me atdheun, me Shqipërinë.
Jo, nuk jeni gabim as kur kërkoni të ngriheni mbi përditshmërinë e zakonshme dhe t’i kërkoni këtij vendi shumë më tepër nga sa është arritur deri tani.
Kjo nuk është vetëm një e drejtë. Është një domosdoshmëri.
Dhe sado e çuditshme mund t’ju duket, unë ju jam mirënjohës për dritën e shpresës dhe të alarmit që ndezët me energjinë e protestës suaj paqësore, por kjo është një bisedë më e gjatë për një ditë të afërt.
Ju e keni të drejtën të kërkoni nga jeta në këtë vend shumë më tepër sesa është arritur në harkun kohor mes arkmortit që 20 vjet më parë kishte brenda një të vdekur dhe arkmortit që mbrëmë, në të njëjtin bulevard, kishte brenda humnerën mes jush dhe atyre që dritën e protestës suaj e futën në një arkmort.
Para 20 vjetësh, arkmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u kthye në mish për top, duke goditur portën e saj si në mesjetë, me synimin për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa mbrëmë, arkmorti u shfaq sërish si përfundimi krejt i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes më lart të këtij vendi, duke e përmbysur Shqipërinë që më në fund është ngritur në këmbë pas një gjunjëzimi të gjatë, politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht.
Po, për mua kjo ishte krejt e pritshme. Sepse Shqipëria nuk është as e para dhe as e fundit, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh të shoqërive demokratike, me fatet e lidhura me Bashkimin Europian apo me Shtetet e Bashkuara, futen, marrin në kontroll dhe bëjnë çmos të devijojnë në dëm të këtyre shoqërive, protesta që lindin si shprehje ndjenjash të sinqerta nga barku i shoqërisë dhe jo nga konspiracionet ndërkombëtare.
Natyrisht, ato duar arrijnë ta marrin nën kontroll një protestë edhe falë zellit të sallahanëve që ka çdo vend, e që këtu njihen nga të gjithë, llapaqorrat me shokë, të cilët kujtuan se bulevardi u bë kos dhe e rrethuan menjëherë protestën tuaj si hienat sorkadhen. Pas hutimit të parë, hynë në lojë edhe ujqit e lodhur të Rrugës së Shpresës, që për t’u maskuar si patriotë i dhanë hov tregtisë së qelesheve në mes të vapës. E kur ju nisët të shtegtoni nga bulevardi, duke krijuar boshllëqe për fotografitë “200 mijëshe” të medias ndërkombëtare, u mobilizuan edhe çakenjtë e “diasporës” nga Prishtina e nga Tetova, të cilët panë në bulevard vatrën e shumëpritur për benzinën e tyre të urrejtjes ndaj Tiranës zyrtare, ku s’kanë gjetur dhe s’kanë për të gjetur asnjë hapësirë për të zhvilluar deliret e tyre nacional-folklorike. Sepse Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit, jo kryeqeleshe iluzionesh nacional-komuniste, nacional-islamiste apo nacional-izolacioniste.
Sigurisht, ato duar dhe ato forca që janë përzier në çorbën e arkmortit nuk e kontrollojnë njëra-tjetrën, ose më saktë kanë papajtueshmëri ekstreme mes tyre. Por për to sot asnjë papajtueshmëri nuk ka rëndësi, sepse i bashkon, disa me vetëdije e shumë të tjerë qorrazi, qëllimi i errët për ta ndalur Shqipërinë dhe për ta kthyer prapa, pikërisht në kilometrat e fundit të rrugës shumëshekullore drejt diellit që lind ku perëndon. Por edhe kjo nuk është një bisedë për sot, aq më tepër që ju nuk keni asnjë lidhje me ta.
Sot ka vetëm një gjë kryesore për t’u thënë. Ajo protestë nuk është më e juaja, të dashur flamingo! Ju jeni bërë, pa autorizimin tuaj dhe kundër dëshirës suaj, alibia e një arkmorti të rikthyer në bulevard si shembëlltyrë e mallkimit që e ka ndjekur Shqipërinë që nga viti 1912; duke përdorur gjithmonë atdheun, flamurin dhe sovranitetin si lëndë të para për të ushqyer urrejtjen mes shqiptarëve dhe si gozhda ndëshkimi që, më shumë se një herë, e kanë kyçur këtë vend në humnerën brenda atij arkmorti.
Por kjo video-kartolinë e trishtë nuk është aspak një thirrje që ju të hiqni dorë nga ndjenjat dhe mendimet që ju bënë bashkë. Jo, kjo është vetëm një ftesë miqësore që ju të mos hiqni dorë në asnjë mënyrë nga kujtesa. Sepse historia nuk është një barrë nga e cila shpëtojmë duke e flakur jashtë vëmendjes sonë, por është busulla që nuk na lejon të humbasim rrugën tonë.
Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon.
Love❤️
