Richard Allison, dietolog klinik dhe nutricionist sportiv që ka punuar edhe për Arsenalin, ka dhënë disa këshilla të thjeshta për ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe menaxhimin e kolesterolit.
Të lidhura
None found
Mes sugjerimeve që ai veçon më shumë është konsumimi i peshkut me vaj dy herë në javë, pasi acidet yndyrore omega-3 që përmban lidhen me uljen e rrezikut për probleme kardiake.
Kolesteroli i lartë shpesh nuk shfaq shenja të dukshme, por mbetet një kërcënim serioz për shëndetin. Kur niveli i kolesterolit “të keq” LDL rritet, në muret e arterieve krijohen depozita yndyrore që ngushtojnë enët e gjakut dhe shtojnë gjasat për atak në zemër ose goditje në tru. Ky është një problem me të cilin përballen shumica e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shumë prej tyre nuk e dinë fare se janë të prekur.
Allison rekomandon: “Hani peshk me vaj dy herë në javë për acidet yndyrore omega-3 të tij.” Si alternativa të mira ai përmend salmonin, sardelet, skumbri, harengën, troftën, sardele ose ngjalë, qoftë të freskëta, të konservuara apo të ngrira. Një porcion është rreth 140 gramë dhe mund të shpërndahet në vakte më të vogla gjatë javës, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Heart UK, omega-3 janë yndyrna të pangopura që ndikojnë pozitivisht në nivelin e kolesterolit. Në anën tjetër, yndyrnat e ngopura që gjenden te mishi i kuq dhe produktet e bulmetit me yndyrë të plotë e rrisin LDL-në, prandaj rekomandohet që ato të zëvendësohen me yndyrna më të shëndetshme.
HDL, që njihet si kolesteroli “i mirë”, ndihmon në largimin e kolesterolit të tepërt nga gjaku duke e dërguar në mëlçi. Ndërkaq, kolesteroli LDL ose “i keq” grumbullohet në arterie dhe ndikon në zhvillimin e arteriosklerozës. Vlerat ideale janë HDL më i lartë dhe LDL më i ulët. NHS rekomandon kolesterol total <5mmol/L, HDL >1.0mmol/L (burra) ose >1.2mmol/L (gra) dhe LDL <3mmol/L.
Megjithëse një nivel i moderuar i HDL-së konsiderohet mbrojtës, studimet e fundit tregojnë se nivelet shumë të larta të HDL-së (>2.07mmol/L) mund të rrisin rrezikun e problemeve me zemrën, duke lënë të kuptohet se “më shumë” nuk është domosdoshmërisht më mirë.
