Zajkova: Me “vija të kuqe” të vendosura paraprakisht nuk arrihet konsensus

Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, vlerëson se bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor po zhvillohen në një drejtim që i largon partitë politike nga një marrëveshje më e gjerë. Sipas saj, temat thelbësore të reformës kanë mbetur jashtë një diskutimi serioz, ndërsa negociatat janë kushtëzuar nga “vija të kuqe” të përcaktuara paraprakisht.

Të lidhura

None found

Në një intervistë për “Sloboden Peçat”, Zajkova deklaroi se shumica parlamentare ishte ajo që vendosi këto “vija të kuqe”, duke mbyllur kështu hapësirën për debat mbi një konsensus të mundshëm. Ajo nënvizoi se PLD-ja e ka ngritur çështjen e vendosjes së listave të hapura në grupin e punës pothuajse në çdo takim, por pa arritur rezultat.

Sipas Zajkovës, Maqedonia ka nevojë për lista të hapura, në mënyrë që qytetarët të mund të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre dhe t’i jepet fund, siç u shpreh ajo, atij sulltanati udhëheqës, ku të gjithë tregojnë besnikëri ndaj liderit vetëm për t’u renditur më lart në listë.

“Thjesht nuk kishte dëshirë, ndoshta nga frika e humbjes së pushtetit”, tha Zajkova.

Ajo thekson se listat e hapura janë reforma më e rëndësishme në procesin zgjedhor, sepse do të forconin llogaridhënien e të zgjedhurve ndaj votuesve dhe jo vetëm ndaj drejtuesve të partive./Telegrafi/


Shtuar 2.07.2026 15:17