Disa punonjës të “Mikrosam” në Prilep shfaqin simptoma helmimi ushqimor, mbyllen kuzhina dhe mensa

Pas një vakti të konsumuar të hënën, 41 punonjës të kompanisë “Mikrosam” në Prilep kanë shfaqur simptoma të helmimit nga ushqimi. Sipas Qendrës së Shëndetit Publik në Prilep, asnjë prej tyre nuk ka përfunduar i shtruar në spital.

Të lidhura

None found

Institucioni bëri të ditur se, së bashku me Inspektoratin Sanitar dhe Shëndetësor, si edhe me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, është realizuar një kontroll dhe mbikëqyrje e jashtëzakonshme si në kompani, ashtu edhe te firma që përgatiste dhe shpërndante ushqimin.

“Është e qartë se kemi të bëjmë me helmim nga ushqimi. Vakti është konsumuar të hënën nga turni i parë në kompaninë Mikrosam, ndërsa simptomat janë paraqitur gjatë dy ditëve në vijim. Nga turni i parë, 61 punonjës kanë qenë të ekspozuar, ndërsa deri tani 41 kanë shfaqur shenja helmimi. Prej tyre, 27 kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në spitalin e qytetit. Ne i kemi anketuar të gjithë.

Të gjithë paraqesin një gjendje klinike mesatare, me temperaturë të lartë, të përziera, diarre dhe dhimbje barku. Deri në këtë moment, askush nuk është hospitalizuar, por kanë marrë terapi dhe po trajtohen në shtëpi”, deklaroi epidemiologia Tatijana Stanimiroviq nga Qendra për Shëndet Publik në Prilep.

Në ndërkohë, është mbyllur kuzhina e kompanisë që ofronte shërbimin ushqimor dhe që e kishte shpërndarë vaktin, si edhe mensa në kompaninë ku ushqimi ishte konsumuar.

Qendra për Shëndet Publik pret ende rezultatet që do të përcaktojnë llojin dhe mënyrën e helmimit.


Shtuar 2.07.2026 14:25

Tags: