Boshatisen plazhet e Durrësit, frikë nga stuhia

Edhe pse dolën për të marrë rreze dielli e për të notuar, ndryshimi i motit ka bërë që në bregdetin e Durrësit të mos ketë asnjë person në plazh.

Pushuesit kanë braktisur plazhin e Durrësit për shkak të reshjeve të shiut që kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në Shqipëri një ditë më parë u njoftua se do ketë ndryshime të kushteve atmosferike madje u paralajmërua për reshje shiu dhe stuhi.

Edhe pse ndërroi moti nuk u ndërprenë udhëtimet me tragete për në portin e Durrësit, raporton TCH.

Paraditen e sotme në port kanë arritur rreth një orë më vonë se parashikimi 2 tragetet e linjës Bari-Durrës, ndërsa trageti i Ankonës nuk ka pasur vonesa.

Katër mijë udhëtarë kanë mbërritur me tragete nga Italia në portin detar të Durrësit. Deti regjistron një forcë prej 4-5 ballësh, e cila nuk e ka ndërprerë lundrimin detar.

Kapitaneria e Durrësit bën me dije se forca e detit nuk do të jetë problem për lundrimet në orët në vazhdim, ndërsa reshjet e shiut do të karakterizojnë motin në bregdet edhe nesër.


Shtuar 18.07.2021 17:16