Sot në orën 19:00 do të mbahet protesta e 28-të kombëtare për largimin e Edi Ramës nga pushteti, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në Tiranë. Tubimit të kësaj të shtune pritet që t’i bashkohen edhe shumë emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme.
Grumbullimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku dhe do mbajnë fjalime. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në atë që cilësohet si protesta e 28-të radhazi.
Të lidhura
None found
KËRKESAT E PROTESTUESVE:
Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
