Temperatura të paprecedenta për muajin qershor po vazhdojnë të përfshijnë mbarë Evropën, teksa vala e të nxehtit po godet gjithë kontinentin. Në Itali, autoritetet kanë ngritur alarmin për thatësirë, pasi lumi më i gjatë i vendit ka nisur të thahet, duke dëmtuar rëndë sektorin bujqësor.
Sipas autoriteteve italiane, lumi “Po” nuk është parë kurrë më parë në nivele kaq të ulëta, çka po rrit shqetësimin për një thatësirë shkatërruese gjatë muajit korrik. Agjencia ndër-rajonale e lumenjve bën me dije se, brenda pak ditësh, prurjet e lumit kanë zbritur nën 300 metra kub në sekondë.
Të lidhura
None found
Gjendje alarmante paraqitet edhe në Gjermani, ku sot u shënua një rekord i ri temperaturash, vetëm një ditë pasi vendi regjistroi ditën më të nxehtë në historinë e tij. Sipas AFP, Shërbimi Meteorologjik Gjerman regjistroi 41.5 gradë Celsius në Dreëitz, në landin e Saksoni-Anhalt, gjatë pasdites.
Ky nivel ka tejkaluar rekordin prej 41.3 gradë Celsius, i vendosur vetëm një ditë më herët në Saarbrücken. Ndërkohë, në aeroportet e Londrës, mbi 700 fluturime u vonuan dhe dhjetëra të tjera u anuluan për shkak të vapës ekstreme. Autoritetet deklaruan se “për shkak të valës së të nxehtit u vendosën kufizime të përkohshme të trafikut ajror”.
Për herë të parë, edhe Sllovakia regjistroi një rekord të temperaturave ekstreme, pasi termometrat nuk zbritën nën 26.3 gradë Celsius as gjatë natës. Në të njëjtën kohë, Rumania u bë vendi i fundit në kontinent që shpalli alarmin e kuq, duke paralajmëruar se nga e hëna deri të mërkurën i gjithë territori do të përballet me nxehtësi ekstreme.
Më herët, edhe shumë shtete të tjera evropiane kishin shpallur alarmin e kuq për shkak të temperaturave përvëluese. Në Spanjë janë raportuar qindra viktima, ndërsa Franca po përballet gjithashtu me temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius. Republika Çeke, Hungaria dhe Moldavia ishin po ashtu në alarm të kuq, ndërsa vendet e Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria, po përgatiten për ditë të vështira.
Instituti Meteorologjik Danez njoftoi se të shtunën u regjistruan 37 gradë në veri të qytetit të Aarhusit, temperatura më e lartë e shënuar që prej nisjes së matjeve në vitin 1874.
