Cristina Guarda, eurodeputete italiane dhe anëtare e grupit parlamentar “Të Gjelbrit” në Parlamentin Europian, ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar “Revolucionit të Flamingove”, protestës qytetare që këtë të shtunë shënon ditën e 27-të.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se fundjavën do ta kalojë pranë protestuesve dhe aktivistëve të përfshirë në këtë lëvizje.
Të lidhura
None found
“Sapo mbërrita në Tiranë. Këtë fundjavë do të jem në demonstratë dhe do të takoj njerëzit dhe aktivistët që po i japin jetë kësaj lëvizjeje fantastike popullore,” shkroi eurodeputetja.
Ndërkohë, organizatorët u kanë bërë apel qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që të marrin pjesë në protestën kombëtare antiqeveritare, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Më herët, pjesëmarrjen në protestën që zhvillohet në Tiranë e paralajmëroi edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus. Në një postim në Instagram, ajo nënvizoi se mbrojtja e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e mjedisit përbën një kauzë me rëndësi të veçantë.
Paulus deklaroi se dëshiron t’i dëgjojë nga afër shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe t’i çojë ato në Bruksel, me synimin për të shtuar vëmendjen dhe presionin ndërkombëtar ndaj vendimmarrjes së qeverisë shqiptare.
