Pothuajse tre muaj kanë kaluar që nga zjarri që shkatërroi pallatin e ndërtuar nga Armand Lilo përballë QSUT-së, por për dhjetëra familje situata mbetet po aq e rëndë. Godina e përfshirë nga flakët, e cila u dogj me shpejtësi tronditëse, vijon të mbetet pa një zgjidhje konkrete, ndërsa banorët ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Pas jehonës së madhe që mori ngjarja, kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht se rindërtimi i pallatit do të kryhej nga firma ndërtuese Arlis Construction. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar afro tre muaj, nuk është ndërmarrë ende asnjë hap konkret për rikuperimin e dëmeve dhe puna në godinë nuk ka filluar.
Të lidhura
None found
Familjet që kishin investuar kursimet e një jete për të siguruar një apartament, vazhdojnë të jetojnë në pasiguri dhe në pritje që premtimet e dhëna të përkthehen në veprime. Për ta, zjarri nuk mori vetëm banesën, por edhe qetësinë, sigurinë dhe sakrificat e shumë viteve.
Ndërsa banorët presin ende një përgjigje, situata bëhet edhe më paradoksale me faktin se Mand Lilo vazhdon aktivitetin në fushën e ndërtimit. Teksa kompanitë e tij marrin projekte të reja dhe apartamentet tregtohen me çmime të larta, dhjetëra familje nuk dinë ende kur do të mund të rikthehen në banesat e tyre.
Në raste kur qytetarëve u shkatërrohet investimi i jetës, përgjegjësia nuk mund të mbyllet me një deklaratë mediatike. Muajt kanë kaluar dhe pallati vazhdon të mbetet simbol i një premtimi të pambajtur, ndërsa banorët vijojnë të përballen me pasojat e neglizhencës. Për ta, koha është ndalur në ditën kur flakët shkrumbuan gjithçka.
