Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi se aleanca ka në plan të prezantojë në samitin e muajit të ardhshëm në Ankara kontrata të reja të mbrojtjes me vlerë dhjetëra miliarda dollarë.
Ky hap po ndërmerret në një moment kur shtetet anëtare po shtojnë përpjekjet për rritjen e prodhimit ushtarak dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët.
Të lidhura
None found
Duke folur në aktivitetin “Front Page” të Këshillit Atlantik në Uashington, Rutte u shpreh se NATO-s i duhet të përdorë në mënyrë më efikase fuqinë e saj ekonomike për ta kthyer atë në kapacitete më të mëdha ushtarake, në kushtet e sfidave gjithnjë e më të mëdha për sigurinë globale.
“Duhet të sigurohemi që fuqia jonë ekonomike po shndërrohet në kapacitete ushtarake. Kjo kërkon bashkërendim më të madh mes industrive të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut, ulje të pengesave burokratike, si dhe vendosjen e inovacionit në qendër të zhvillimit të sektorit të mbrojtjes në të gjithë aleancën”, tha Mark Rutte.
Ai theksoi gjithashtu se samiti i NATO-s, i parashikuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, do të jetë vendi ku do të paraqitet progresi i arritur në bashkëpunimin industrial dhe në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit.
Kreu i NATO-s rikonfirmoi edhe përkushtimin e aleancës ndaj Ukrainës, ndërsa bëri të ditur se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samitin e Ankarasë.
“Presidenti Zelensky do të jetë me ne në Ankara. Ne duam t’i tregojmë atij dhe popullit ukrainas se mbështetja jonë mbetet e palëkundur, si dhe t’i bëjmë të qartë presidentit Putin se NATO nuk do të tërhiqet”, tha Rutte.
