Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka deklaruar se restaurimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës po vijon me ritëm të lartë, ndërsa investimi për këtë projekt kap vlerën e mbi shtatë milionë eurove.
Të lidhura
None found
Bogujevci bëri të ditur përmes një postimi se gjatë ditës ka vizituar objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës së bashku me ekipin përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, të cilët janë angazhuar në përgatitjen e projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve.
Sipas saj, ndërhyrjet synojnë të kryhen në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet e konservimit, në mënyrë që të ruhet identiteti historik i ndërtesës.
“Po investojmë mbi shtatë milionë euro për një Teatër Kombëtar me kushte të dinjitetshme për artistët, stafin dhe publikun artdashës, pa humbur karakterin historik të ndërtesës”, ka shkruar Bogujevci.
Projekti parashikon përmirësimin e kushteve të punës për artistët dhe stafin, si dhe krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për publikun, duke mbrojtur njëkohësisht vlerat historike të këtij institucioni kulturor.





