Aktiviteti i kompanisë Sori AL është ndërprerë pas dyshimeve për helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, në një ngjarje që përsëritet për herë të dytë në më pak se dy muaj. Ndërsa priten rezultatet e analizave për të sqaruar shkakun, administratorja Alma Tafani ka tentuar të shmangë përgjegjësinë gjatë marrjes në pyetje.
Numri i studentëve të prekur, që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i furnizuar nga kjo kompani, ka arritur në 64. Deri tani, autoritetet nuk kanë përcaktuar ende se çfarë e ka shkaktuar këtë situatë të përsëritur në Akademinë e Sigurisë.
Të lidhura
None found
Hetimet janë fokusuar si te kompania që ofron shërbimin e kateringut, ashtu edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili në reagimin e tij të parë e minimizoi përgjegjësinë e kompanisë në pronësi të Alma Tafanit.
AKU ka njoftuar se ka marrë mostra nga ushqimet që kanë konsumuar studentët dhe se ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të Sori AL deri në publikimin e rezultateve të analizave.
Administratorja Alma Tafani është pyetur nga Policia. Në ndryshim nga deklarata e saj e parë, kur kishte pretenduar se në Akademi futet edhe ushqim nga jashtë, mësohet se përpara hetuesve ajo i ka lidhur shqetësimet shëndetësore të kursantëve me një virus gripi.
Edhe pse verifikimet vazhdojnë, ende nuk ka asnjë person të mbajtur përgjegjës për këtë skandal.
Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, u shpreh në një konferencë për mediat se ambientet e Akademisë së Sigurisë janë bllokuar deri sa të përfundojnë analizat, të cilat do të përcaktojnë shkakun e helmimit.
Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë kontrollet dhe verifikimet, por deri në këtë fazë nuk i kanë atribuar përgjegjësi askujt, as nga kompania e Alma Tafanit dhe as nga subjektet e tjera të përfshira në zinxhirin e furnizimit me ushqim.
Kjo dosje pritet t’i bashkohet hetimit për rastin e ndodhur në fillim të muajit maj, kur dhjetëra studentë përfunduan në spital pasi konsumuan ushqim të kontaminuar me Escherichia coli dhe Stafilokok, dy baktere që shkaktojnë infeksione në organizmin e njeriut.
