Projektligji që parashikon disa ndryshime në ligjin e SHISH është shqyrtuar edhe në Komisionin parlamentar të Ligjeve.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi paraqiti rezervat e tij, duke argumentuar se referencat për “stabilitetin e brendshëm të vendit dhe atë rajonal” mund të hapin rrugë për keqpërdorim politik në funksion të kryeministrit.
Të lidhura
None found
Në mbledhje, Bylykbashi ngriti pyetjen: “A po e çoni SHISH drejt një abuzimi politik?”. Këtë shqetësim nuk e ndau drejtoresha juridike e SHISH, Armanda Dhima.
Sipas Armanta Dhimës, “SHISH është apolitik dhe jo në shërbim të politikës. Asnjë shërbim në botë nuk publikon të dhëna. Buxhetet janë të fshehura dhe të kamufluara”.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, bëri një koment ndaj tre përfaqësueseve të SHISH të pranishme në seancë.
“Më vjen mirë që shoh tre zonja që vinë nga SHISH se në këto agjenci jemi mësuar të shohim vetëm burra dhe unë dua t’ju përgëzoj për këtë. Nuk jam duke denigruar burrat kjo në fakt është diskriminim pozitiv por më vjen mirë që në funksione të tilla janë tre zonja bashkë me ministren e shtetit që ka dalë nga ky komision”, u shpreh Ulsi Manja.
Në përfundim, ndryshimet në ligjin e SHISH morën shtatë vota pro në këtë komision, duke kaluar më tej për votim në seancë plenare në Parlament.
