Pas kërkesës së Shkupit që autoritetet bullgare të kërkojnë falje për publikimin e të dhënave që lidhen me familjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, ka reaguar edhe Sofja zyrtare.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, zhvilloi një bisedë me ambasadorin bullgar Angell Aleksandrov Angelov, pasi në mediat bullgare u publikua nota diplomatike e dërguar për udhëtimin e bashkëshortes dhe djalit të Mickoskit në qendrën dimërore Pamporovo në fillim të këtij viti.
Të lidhura
None found
Sipas Muçunskit, pala maqedonase nuk ka kërkuar vetëm sqarime, por edhe një hetim të plotë për mënyrën se si ai dokument përfundoi në opinion. Ai tha se deri në këtë fazë nuk kanë marrë asnjë sqarim dhe asnjë kërkimfalje. Ndërkaq, kryeministri Mickoski ka deklaruar se për këtë çështje ka informuar edhe NATO-n.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë mohoi se ka qenë e përfshirë në publikimin e një note diplomatike që lidhet me udhëtimin e familjes së Mickoskit në Pamporovë, duke theksuar se dokumenti nuk ka të bëjë me ndonjë kërcënim aktual, por me çështje të së kaluarës.
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka shpërndarë notë diplomatike apo ndonjë korrespondencë tjetër zyrtare që lidhet me vizitën në Bullgari të anëtarëve të familjes së një përfaqësuesi zyrtar të një vendi tjetër. Informacionet që qarkullojnë në publik ditët e fundit kanë të bëjnë me një notë verbale të datës 6 janar 2026 dhe lidhen me ngjarje nga e kaluara e largët. Në këtë moment, ky informacion nuk mund të merret si bazë për përfundime se ekziston një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Bullgarisë apo të ndonjë vendi tjetër”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Ndërkohë, partia në pushtet OBRM-PDUKM vijon të kërkojë përgjegjësi dhe njëherazi akuzon edhe LSDM-në për heshtje ndaj asaj që e cilëson si skandal diplomatik. Sipas deputetit Brane Petrushevski, rasti përmban të dhëna të ndjeshme që lidhen me sigurinë e kryeministrit Mickoski dhe familjes së tij.
“Në vend të kërkimit të faljes dhe marrjes së përgjegjësisë nga Sofja zyrtare, publiku mori heshtje. Por edhe më e zëshme është heshtja e të dërguarit të posaçëm bullgar, Venko Filipçes. Personi i cili prej muajsh i relativizon qëndrimet bullgare dhe paraqitet si avokati i tyre më i zëshëm në Maqedoni, sot nuk ka asnjë fjalë apo dënim për këtë skandal diplomatik”, tha Brane Petrushevski – deputet i OBRM-PDUKM-së.
