Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjashtë funksionarë shtetërorë janë vendosur nën masa sigurie, pasi dyshohen se kanë qenë pjesë e një skeme abuzimi me fondet e ndihmës ekonomike, me një dëm për buxhetin që llogaritet rreth 12.5 milionë lekë.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka vendosur ndaj tyre masat “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”. Personat ndaj të cilëve u caktuan këto masa mbanin funksione si administrator shoqëror, postier, drejtor drejtorie në bashki dhe specialistë të administratës.
Të lidhura
None found
Hetimi u hap pas kallëzimit të një qytetari në prill të vitit 2025, i cili ngriti dyshime për abuzime me skemën e ndihmës ekonomike që lidhej me familjarët e tij. Pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Elbasanit së bashku me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u zbulua një skemë e organizuar që funksiononte në një njësi administrative të qarkut Elbasan.
Organi i akuzës bën me dije se gjatë periudhës tetor 2024 – korrik 2025, në skemën e ndihmës ekonomike janë futur në mënyrë të paligjshme familje që nuk i plotësonin kriteret për të marrë mbështetje financiare nga shteti. Hetimet tregojnë se numri i përfituesve është fryrë në mënyrë fiktive, ndërsa fondet janë përvetësuar kundërligjshëm.
Prokuroria thekson se, pas nisjes së procedimit penal, numri i familjeve që përfitonin në këtë njësi administrative ra nga 320 në vetëm 110 familje, çka sipas hetuesve dëshmon përmasat e abuzimit.
Nga veprimet hetimore është arritur në përfundimin se funksionarët e përfshirë kanë vepruar të koordinuar me njëri-tjetrin, duke mos administruar dokumentacionin e nevojshëm, duke e rritur në mënyrë fiktive listën e përfituesve dhe duke mos kryer kontrollet e kërkuara nga ligji për të penguar veprimtarinë e paligjshme.
Prokuroria e Elbasanit ka bërë të ditur se çështja do të kalojë për gjykim, pasi të dyshuarve u është komunikuar akuza dhe ata kanë marrë statusin e të pandehurit.
