Mesdita e sotme ka sjellë një vatër zjarri në fshatin Gjatë, në njësinë administrative Krutje të Bashkisë Lushnje, duke vënë në rrezik edhe një banesë.
Sipas të dhënave, familjarët po pushonin gjatë orarit të drekës kur u sinjalizuan nga komshinjtë, të cilët vunë re se në oborr po digjeshin kavaletat me bar të thatë dhe ushqim për bagëtitë.
Të lidhura
None found
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga temperaturat e larta, por ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve të Lushnjes ka parandaluar djegien e banesës. Kavaletat me ushqim për bagëtinë u dogjën plotësisht, ndërsa zjarri u izolua në kohë për të mos u përhapur në shtëpi dhe në banesat përreth.
Efektivët në vendngjarje dyshojnë se bëhet fjalë për një zjarr aksidental, pasi nuk raportohet për shkëndijë elektrike nga kabujt.
Megjithëse prej kohësh temperaturat e larta po krijojnë rrezik serioz për zjarre, në zonat rurale rastet nuk kanë munguar, duke shkrumbuar sipërfaqe të mëdha djerrë dhe duke vënë në rrezik edhe banesa e biznese.
