Shkëmb Manaj, anëtar i LDK-së, ka reaguar ndaj debateve për lëvizje të mundshme brenda partisë, duke nënvizuar se çdo ndryshim mund të vijë vetëm përmes vullnetit të anëtarësisë.
Në një postim publik, ai ka hedhur kritika ndaj personave që, sipas tij, në disa procese zgjedhore janë marrë më shumë me rënien e LDK-së sesa me ngritjen e saj, ndërsa i akuzoi edhe për sabotim të partisë në zgjedhjet e fundit.
Të lidhura
None found
Sipas Manajt, po të kishte ekzistuar një unitet funksional në këto zgjedhje, LDK-ja do ta kishte pasur të lehtë të renditej si subjekti i dytë politik në vend. Ai shtoi gjithashtu se vizioni i kryetarit Lumir Abdixhiku për bashkim me presidenten Vjosa Osmani ka dhënë efekt pozitiv.
Postimi i plotë:
Ndryshimet në LDK mund t’i bëjë vetëm vullneti i anëtarësisë së saj! Por ato nuk mund t’i udhëheqin ata që në disa palë zgjedhje kanë folur më shumë për rënien e LDK-së sesa për ringritjen e saj. Nuk mund t’i bëjnë ata që statuset për “ndryshim” i kishin gati pa u mbyllur kutitë e votimit, e që nuk i pritën as rezultatet e exit poll-eve. Ata qe e sabotuan LDK në këtë proces zgjedhor. Dhe ata kanë emër dhe mbiemër. I njohim të gjithë! Një nga një po e tregojnë vetën!
Me një unitet funksional në këto zgjedhje e kemi pas mundësinë që lehtësisht të dalim subjekti i dytë politik në vend! Vizioni i kryetarit Lumir Abdixhiku për bashkim me Presidenten Vjosa Osmanin ka pas efekt pozitiv. Prandaj, janë turrur planet e nates kundër LDK-së!
LDK do t’i bëjë ballë sfidave, siç ju ka bërë në kohërat me të vështira! Secili që do ballafaqim, këtu jemi! Kush e do ndarjen e LDK dhe mbylljen e saj, e ka gabim!
LDK do të jetë këtu e fortë, se bashku me anëtarësinë e saj dhe me popullin e Kosovës në funksion të shtetit të Kosovës!
