Agjencia Kombëtare e Bregdetit po vazhdon kontrollet për të siguruar hapësirat publike në bregdet për pushuesit vendas dhe të huaj.
Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë ditës së sotme po zhvillohen inspektime intensive përgjatë vijës bregdetare të bashkisë Vlorë, me theks te respektimi i plazheve publike dhe zbatimi i detyrimeve ligjore nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në stacionet e plazhit.
Të lidhura
None found
Gonxhja u shpreh se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat e AKB-së ndodhen në terren për të ndjekur nga afër situatën, për të komunikuar me subjektet dhe për të garantuar zbatimin e standardeve të përcaktuara për ecurinë e sezonit turistik.
Ai theksoi gjithashtu se këto monitorime do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit veror.
Hapësirat publike në bregdet mbeten një prej prioriteteve në administrimin e sezonit turistik, me synimin që qytetarët të kenë akses të lirë në vijën ranore dhe të përjetojnë pushime verore sa më cilësore.
