“Synimi ynë mbetet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare dhe e një zgjidhjeje afatgjatë.
Në këtë fazë, unë besoj se është shënuar përparim i konsiderueshëm dhe ky zhvillim duhet përshëndetur nga të gjithë, sidomos në kushtet kur inspektorët bërthamorë do të nisin punën”: kështu deklaroi për gazetarët në Zvicër zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, duke bërë të ditur se Irani ka pranuar kthimin e specialistëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Të lidhura
None found
“Kjo është ndoshta pika që na ka entuziazmuar më shumë ne amerikanëve. Irani ka pranuar të rikthejë inspektorët e IAEA-së në territorin e vet. Kjo përbën një sukses të madh për popullin amerikan dhe është hapi i parë drejt çarmatimit të përhershëm bërthamor, ose një lëvizje e rëndësishme drejt mbylljes përfundimtare të një programi të armëve bërthamore në Iran”, tha zv.presidenti amerikan JD Vance.
Ai shtoi se dita e djeshme ishte jashtëzakonisht pozitive. “Dje ishte një ditë shumë, shumë pozitive. Kemi bërë përparime të mëdha dhe kemi arritur pikërisht atë që donim të bënim”, u shpreh Vance, ndonëse nga Irani erdhën sërish deklarata të kundërta. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Esmaeil Baqaei, pranoi se pala iraniane ka zhvilluar një “diskutim të shkurtër” me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor gjatë takimeve në Zvicër, por këmbënguli se negociatat për këtë çështje ende nuk kanë nisur.
Në fjalën e tij, Vance nënvizoi gjithashtu se do të rikthehet në Shtetet e Bashkuara. “Nuk mund të qëndroj këtu 60 ditë”, deklaroi ai, duke shtuar më tej se të paktën janë vendosur bazat për një marrëveshje. “Nuk e kemi ndërtuar shtëpinë, por kemi realizuar themele të forta”, tha numri dy i administratës amerikane.
