Qasja në dokumentet e klasifikuara të Brigadës së 37-të të Motorizuar dhe rikthimi i gërmimeve në Batajnicë janë dy nga kërkesat kryesore që Kosova ka paraqitur në Komisionin e Përbashkët për Persona të Zhdukur me Serbinë. Pala kosovare i konsideron këto si provë konkrete nëse Serbia do t’i zbatojë zotimet e marra në Deklaratën për Persona të Zhdukur.
Në anën tjetër, Serbia, në kuadër të të njëjtit komision, ka kërkuar më shumë të dhëna dhe zhvillim hetimesh, sidomos për rastet pas përfundimit zyrtar të luftës.
Të lidhura
None found
Komisioni i Përbashkët pritet të mblidhet sërish gjatë këtij muaji, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky do të jetë takimi i tretë që nga krijimi i tij, ndërsa Kosova këmbëngul se këto dy kërkesa do të tregojnë nëse Serbia ka nisur realisht zbatimin e deklaratës së nënshkruar tri vite më parë, e cila parasheh edhe qasjen në arkiva.
Kreu i Njësisë për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, Kushtrim Gara, ka deklaruar se hapja e arkivit të klasifikuar do të ndihmonte në kërkimin e personave të zhdukur nga masakrat e kryera nga kjo brigadë në zonën e Drenicës, e cila në atë periudhë komandohej nga gjenerali Lubisha Dikoviq.
“Shumë nga viktimat e masakrave Rezallë, Çikatovë e Vjetër e Zabel i Ulët të kryera nga kjo brigadë janë gjetur në Rashkë”, i ka thënë Gara Radio Kosovës.
“Komplet arkivat e kësaj brigade janë riklasifikuar në vitin 2014, kur ne kemi qenë duke gërmuar në Rashkë, ku kjo brigadë e ka pasur bazën”, ka shtuar ai.
Gara ka bërë të ditur gjithashtu se pala kosovare po kërkon rifillimin e gërmimeve në Batajnicë, pasi janë siguruar të dhëna të reja që ngrenë dyshime për praninë e një numri viktimash të zhdukura nga lufta.
“Në bazë të dhënave të reja që kemi siguruar dhe analizës së informacionit ne kemi konkluduar që në Batajnicë afër poligonit të stërvitjes duhet të jetë edhe një vend me 58 trupa të personave të zhdukurve”, ka thënë ai.
Në periudhën 2001-2002, në Batajnicë, pranë Beogradit, janë gjetur mbetjet e 744 viktimave të varrosura në 9 gropa, pranë poligonit të stërvitjes ushtarake, qindra kilometra larg vendit ku ishin vrarë.
Zyra e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i ka thënë Radio Kosovës se BE u “kërkon me ngulm palëve bashkëpunim dhe angazhim” për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023. Po ashtu, është nënvizuar se Komisioni i Përbashkët “ofron një kornizë për të mbështetur këtë proces dhe për të adresuar çështjet praktike që lidhen me zbatimin”.
Sipas Deklaratës për Persona të Zhdukur, detyrimet e Kosovës përfshijnë edhe hetimin e rasteve të personave të zhdukur, veçanërisht të atyre pas përfundimit zyrtar të luftës.
