Afati i 22 korrikut për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po afrohet, ndërsa mbrojtja dhe njohës të së drejtës vlerësojnë se ky proces është tejzgjatur dhe se mbajtja e vazhdueshme në paraburgim po cenon të drejtat e të akuzuarve.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kishin caktuar këtë datë si afat për nxjerrjen e vendimit të shkallës së parë, por ende mbetet e paqartë nëse trupi gjykues do ta respektojë atë apo nëse do të kërkojë kohë shtesë për ta përmbyllur aktgjykimin.
Të lidhura
None found
Sipas Speciales, shtyrja e deritanishme është arsyetuar me vëllimin e madh të lëndës dhe kompleksitetin e saj, duke theksuar se materiali kërkon kohë të konsiderueshme për analizë dhe shqyrtim nga gjyqtarët.
Megjithatë, vetë Dhomat e Specializuara nuk e përjashtojnë mundësinë që ky afat të shtyhet sërish, në rast se gjyqtarët e konsiderojnë të nevojshme. Ndërkohë, Thaçi dhe të tjerët vijojnë të mbeten në paraburgim edhe më shumë se katër muaj pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Sipas njohësve të ligjit, që nga fillimi ky proces nuk ka qenë i drejtë dhe është zvarritur në masë të madhe, duke sjellë shkelje të të drejtave të të akuzuarve. Ata vlerësojnë gjithashtu se ekziston mundësia që vendimi të shtyhet përsëri.
“E ligjshme është, sa i përket e logjikshme për ne që jetojmë në Kosovë është e palogjikshme për shkak se është një zvarritje dhe sipas të gjitha gjasave ndodh, ka shkresa të shumta, edhepse gjyqtarët vazhdimisht gjatë proceseve gjyqësore I kanë shqyrtu, I kanë lexu I kanë dëgju dëshmitarët, prapë ligji I obligon që ti analizojnë të gjitha shkresat një nga një e jot ë gjitha së bashku. E rëndësishme në fund të fundit është vendimi me ardh pozitiv edhe ata me u liru, ndërsa për zvarritje, kanë prit disa vite, le të presin edhe disa muaj se më tepër nuk shkon”, tha për RTK, Skender Musa, avokat.
Se vazhdimi i paraburgimit gjatë kohës që pritet aktgjykimi përbën shkelje të të drejtave të tyre, e thotë edhe avokati Arbër Jashari.
“Me momentin që janë dëgju dëshmitarët e prokurorisë nuk ka asnjë arsye më që ata njerëz të qëndrojnë atje, arsye ligjore e kam fjalën, vet fakti që janë administrua të gjitha provat dhe procesi ka përfundua dhe tash jemi vetëm në pritje të aktgjykimit tregon që kanë pushuar pothuajse edhe ato arsyet minimale me të cilat gjykata mund ta justifikoj atë se këta të dyshuar mund ta pengojnë procesin”, pohoi ai.
Thaçi dhe të tjerët mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Në shkurt, gjatë fjalëve të tyre përmbyllëse, ata deklaruan se janë të pafajshëm dhe se lirimi i tyre do të ishte vendimi më i drejtë.
