Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga stadiumi “Air Albania”, ku ka ndjekur procesin e vaksinimit, ka bërë me dije se, të hënën nis java e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, të cilët mund të paraqiten me kartën e identitetit në pikën më të afërt të vaksinimit.
“Pas mbërritjes së 340,000 dozave të vaksinave, kemi vendosur të kthejmë sërish ditët e hapura të vaksinimit, sipas planit të vaksinimit dhe rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Do të jenë datat, nga dita e hënë e javës që hyjmë, deri në datë 25 korrik. Do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, në të gjitha qendrat shëndetësore, në pikat e vaksinimit masiv, duke shkuar edhe derë më derë. Do të jemi në komunitet për të realizuar këtë vaksinim të popullatës +18 vjeç në këtë javë të vaksinimit”, tha Manastirliu, ndërsa ka ftuar qytetarët +18 vjeç të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve.
Duke bërë me dije se ditë dhe javë të vaksinimit të hapur do të ketë përgjatë gjithë verës, Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina anticovid.
“Aktualisht në Shqipëri janë më shumë se 1 milion e 500 mijë doza vaksine të mbërritura. Ndërkohë që të hënën ne presim dhe rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer, për të vijuar me planin e vaksinimit dhe për ta zgjeruar akoma më tej”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik thanë se ka një alert të shtuar për variantin Delta dhe bënë apel për qytetarët, për t’u vaksinuar sa më parë, pasi vaksinat mbrojnë deri në 100% nga fatalitetet si pasojë e Covid19.
“Prej tashmë 2-3 javësh ne kemi folur për sinjale të pazakonta. Kemi marrë mostra, i kemi në Laboratorin e Referencës dhe vijojmë me monitorimin. E rëndësishme është të kuptojmë që pavarësisht shtrimeve spitalore shumë sporadike dhe fatmirësisht humbjeve të munguara të jetës, ne shikojmë që ka rritje të vogla të infeksioneve. Ndaj nuk duhet të harrohen masat dhe apeli ynë dhe apeli ndërkombëtar është vaksinim, vaksinim, vaksinim”, tha prof. Albana Fico.
Në vendin tonë kanë mbërritur deri tani 1,578,790 doza vaksine ndaj COVID19. Janë kryer në total 1,052,108 doza, prej tyre 455,131 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID./albeu.com