Bebe Rexha ka regjistruar një sukses të ri në karrierën e saj muzikore, këtë herë jashtë një kompanie diskografike. Kënga “New Religion” është pozicionuar në vendin e 35-të të listës së 50 këngëve më të dëgjuara nga artiste femra në “Spotify”.
Rezultatin këngëtarja me origjinë shqiptare e ka bërë publik vetë përmes rrjeteve sociale, duke e ndarë me miliona ndjekësit e saj. Në një postim në X, ajo ka publikuar klasifikimin dhe ka shprehur kënaqësinë për këtë arritje, veçanërisht në këtë fazë të re të karrierës.
Të lidhura
None found
“Fakti që ‘New Religion’ renditet në vendin e 35-të në listën Top 50 të Spotify është vërtet i jashtëzakonshëm”, ka shkruar Bebe Rexha.
Arritja vjen pas largimit të artistes nga kompania diskografike Warner Records dhe vendimit të saj për të vijuar aktivitetin muzikor në mënyrë të pavarur. Rexha ka folur më herët edhe për pengesat që hasin artistët e pavarur në një industri ku kompanitë e mëdha disponojnë buxhete të konsiderueshme dhe rrjete të fuqishme promovimi.
Këngëtarja ka theksuar se “New Religion” është i vetmi projekt i një artisteje të pavarur që figuron në listën e publikuar, çka i jep edhe më shumë peshë këtij suksesi.
“Jam krenare që vendosa t’i besoj vetes dhe edhe më krenare për atë që po ndërtojmë. Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi. Nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë një udhëtim i bukur”, është shprehur ylli i muzikës.
“New Religion” është pjesë e albumit “Dirty Blonde”, një vepër që përfaqëson një etapë të re në krijimtarinë e artistes shqiptare dhe në përpjekjen e saj për të konsoliduar identitetin muzikor jashtë strukturave tradicionale të industrisë.







