Avokatët e Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e Drejtorit Ekzekutiv të UnitedHealthcare, Brian Thompson, kanë vendosur të heqin dorë nga përdorimi i mbrojtjes psikiatrike në gjyqin shtetëror ndaj tij.
Mangione, 28 vjeç, është deklaruar i pafajshëm për akuzat si në nivel federal ashtu edhe në atë shtetëror, që lidhen me vrasjen e Thompson në Manhattan në fund të vitit 2024.
Të lidhura
None found
Në fillim, ekipi i tij mbrojtës kishte bërë të ditur se do të pretendonte se ai ndodhej nën “shqetësime ekstreme emocionale në kohën e ngjarjes”, por vetëm një ditë më vonë ndryshoi kurs, pa dhënë asnjë arsye publike për këtë vendim.
Ky zhvillim ndodhi pak përpara afatit të caktuar nga gjykata, sipas të cilit mbrojtja duhej të paraqiste në zyrën e prokurorit të Manhattanit provat që lidhen me mbrojtjen psikiatrike.
Sipas ekspertëve të ligjit, një linjë e tillë mbrojtjeje, nëse do të pranohej nga juria, mund të sillte një dënim më të butë, duke e kategorizuar ngjarjen si vrasje të paqëllimshme dhe jo si vrasje të qëllimshme.
Përveç kësaj, Mangione përballet edhe me akuza federale për përndjekje, të cilat mund të çojnë në burgim të përjetshëm.
Seanca e ardhshme është parashikuar të mbahet më 11 gusht, ndërsa nisja e gjyqit shtetëror pritet më 8 shtator.
Arrestimi i tij u bë disa ditë pas vrasjes së Brian Thompson, i cili u qëllua më 4 dhjetor 2024 në Manhattan, ndërsa po hynte në një hotel ku do të merrte pjesë në një konferencë investitorësh.
