Franca i ka bërë thirrje Izraelit që të respektojë marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila synon t’i japë fund përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Këtë apel e përcolli ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, gjatë një interviste për median franceze FranceInfo, ku nënvizoi se kjo marrëveshje parashikon ndërprerjen e armiqësive dhe se zbatimi i saj duhet të bëhet nga të gjitha palët.
Të lidhura
None found
“Qeveria izraelite duhet ta respektojë atë dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ushtrojnë të gjithë presionin e nevojshëm mbi qeverinë izraelite”, u shpreh kryediplomati francez.
Qëndrimi i tij vjen në momentin kur ushtria izraelite po vazhdon operacionet ushtarake dhe bombardimet në jug të Libanit, çka po shton shqetësimet për një rritje të mëtejshme të tensioneve në rajon.
Franca renditet mes vendeve që kanë kërkuar vazhdimisht ulje të tensioneve dhe respektim të marrëveshjeve të armëpushimit, me qëllim parandalimin e zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
